A ngjitet murtaja e bagëtive të imëta te njerëzit? Ministria e Bujqësisë sqaron qytetarët: Ja rreziku që paraqet

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur sot se deri tani raportohen 4 vatra të murtajës në vend, ku janë prekur në total 716 bagëti të imta.

Në një raportim mbi situatën e murtajës në vend dhe planin e masave të marra, MBZHR raporton se kanë ngordhur 25 krerë dhe janë eliminuar 153 krerë të imta, proces që vazhdon.

MBZHR e konsideron murtajën e ruminantëve të vegjël (PPR), një sëmundje serioze virale, tepër ngjitëse, e cila ka ngordhshmëri të lartë deri në nivele të 100% të tufës, duke shkaktuar humbje ekonomike, por nuk cenon shëndetin dhe nuk transmetohet te njeriu.

“Konfirmimi i parë për sëmundjen në Shqipëri është bërë më 4 qershor 2025, me vendndodhje në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, Bashkia Shkodër. Në vijim, rasti i dytë është konfirmuar më 5 qershor në fshatin Vrenjt, njësia administrative Kastriot, Bashkia Dibër; rasti i tretë më 9 qershor në fshatin Val, njësia administrative Martanesh, Bashkia Bulqizë; dhe rasti i katërt më 11 qershor në fshatin Polenë, njësia administrative Qendër, Bashkia Skrapar. Numri total i vatrave (tufave) të raportuara deri më sot është 4. Numri i të imtave të prekur është 716; të ngordhur, 25 krerë; të eliminuar, 153 krerë; ndërsa krerët e tjerë janë në proces eliminimi”, njofton MBZHR.

Ministria e Bujqësisë siguron se janë ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së sëmundjes në territorin e Shqipërisë.

“Janë identifikuar Njësitë Administrative dhe fshatrat brenda zonave të mbrojtjes (3 km) dhe të mbikëqyrjes (10 km). Në Urdhrat e Ministrit është përcaktuar qartë, që për çdo rast të konfirmuar me këtë sëmundje, marrja e masave të kufizimit të lëvizjes së kafshëve të gjalla”, thuhet në njoftim.

Lajme të tjera |  Andi Bushati: Berisha, kalë i ngordhur por të merresh me të vdekurin Sali, i thua Ramës vazhdo na pë…

Po ashtu, nisur nga situata shqetësuese dhe përhapja në disa vatra e sëmundjes, prej datës 9 qershor ka hyrë në fuqi urdhri i ministrit për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së dhenve dhe dhive të gjalla në territorin e Shqipërisë.

MBZHR njofton se ndalohet përkohësisht tregtimi i kafshëve të llojit dhen dhe dhi në tregjet e kafshëve të gjalla, mjedise te hapura, panaire dhe grumbullime të tjera. “Është e lejuar vetëm lëvizja e të imtave vetëm për në thertore, e shoqëruar me certifikatë shëndetësore veterinare, të lëshuar nga veterineri zyrtar i shërbimit. Kjo masë ka karakter të përkohshëm dhe është ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve, sigurisë ushqimore dhe interesit të blegtorëve në vend”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të masave të marra, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka ngritur 39 grupe kontrolli, duke monitoruar deri më sot 983 ferma të imtash, me një total 164.803 krerësh dhen dhe dhi në rang vendi.

“Qëllimi kryesor i grupeve të kontrollit në terren është monitorimi i fermave të vogla blegtorale, evidentimi i situatës epidemiologjike në terren dhe përcaktimi i fazës aktuale të sëmundjes, si bazë për ndërhyrje të mëtejshme, të orientuara dhe efektive. Gjatë monitorimit, grupet e kontrollit kanë kryer rritjen e ndërgjegjësimit të fermerëve për rrezikun ekonomik që paraqet kjo sëmundje”, vijon njoftimi.

MBZHR njofton po ashtu se prania e sëmundjes së murtajës është njoftuar rast pas rasti në Sistemin e Njoftimit të Menjëhershëm të Sëmundjeve të kafshëve të Bashkimit Evropian (ADIS), dhe është kontaktuar edhe Zyra e Emergjencave për Sëmundjet e Kafshëve pranë Komisionit Evropian, e cila ka shprehur gatishmërinë ndaj kërkesës së MBZHR-së për të dërguar në Shqipëri një mision teknik.

Lajme të tjera |  Donald Trump: Një sulm ndaj Iranit mund të ndodhë

“Ditën e sotme dhe nesër po organizohet një takim në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me pjesëmarrjen e dy ekspertëve të Komisionit Evropian, përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, AKVMB-së, ISUV-it dhe Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë. Po sot, këta përfaqësues do të kryejnë një vizitë në terren, në një nga vatrat ku është konfirmuar prania e sëmundjes. Në përfundim të vizitës, Misioni Teknik EUVET i Komisionit Evropian do të japë rekomandime në lidhje me menaxhimin e situatës dhe strategjitë e kontrollit të pranisë së sëmundjes së Murtajës së Ruminatëve të Vegjël (PPR)”, vijon njoftimi.

Kjo përgjigje e shpejtë dhe e koordinuar me DG SANTE ndaj rastit të parë të PPR në vendin tonë, sipas MBZHR, “është një tregues i përkushtimit të Shqipërisë për të respektuar standardet evropiane në fushën e shëndetit dhe sigurisë veterinare”.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i bën thirrje të gjithë fermerëve të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë në fermat e tyre dhe të shmangin çdo lëvizje të kafshëve jashtë fermës, duke zbatuar rregullat në fuqi dhe duke bashkëpunuar për një të mire te përbashkët: ekonominë blegtorale ne vend.

Po ashtu, MBZHR apelon ndaj të gjithë fermerëve dhe aktorëve të përfshirë në sektorin blegtoral që, për çdo rast të evidentimit të shenjave të dyshimta apo ngordhjeve në të imta, të kontaktojnë menjëherë në numrin e gjelbër 08003366.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us