Afron vera, shtrenjtohen çmimet e biletave të avionëve, 100-200 euro në një drejtim

Nëse në pjesën e parë të vitit mund të keni udhëtuar me bileta të lira, 20-50 euro në një drejtim, afrimi i muajve të verës ka sjellë një shtrenjtim të ndjeshëm të tyre, sidomos në drejtim të Italisë, që është dhe destinacioni kryesor i udhëtimeve, me rreth 42% të totalit, sipas një kërkimi që Monitor bëri në faqet zyrtare të operatorëve kryesorë në vend.

Nëse do të udhëtosh në Milano, në datat 9-11 gusht, më Wizz Air, vajtja kushton minimumi 10.4 mijë lekë dhe kthimi më i lirë është 22.9 mijë lekë, me një total prej 38.2 mijë lekë, ose 363 euro. Me Ryanair, operatori tjetër me kosto të ulët, vajtja në Milano në datën 9 gusht kushton 70-102 euro, ndërsa kthimi në datën 11 arrin nga 168-182 euro.

Milano (përfshirë Bergamo) është destinacioni kryesor i udhëtimeve të pasagjerëve që fluturojnë nga dhe drejt Rinasit. Sipas të dhënave të Tirana International Airport (TIA), në vitin 2024, nga Rinasi në Milano (Malpensa dhe Milano-Bergamo) udhëtuan 1 milionë pasagjerë, ose 10% e totalit.

Londra është destinacioni i dytë më i frekuentuar pas Milanos. Për të njëjtat data, nga Tirana në Londër, bileta varion nga 14-27 mijë lekë, ndërsa kthimi nga 9.4-11.4 mijë lekë, me biletën më të lirë që arrin në 23.3 mijë lekë, me Wizz Air. Me Ryanair, vajtja në Londër në të njëjtën datë kushton 123-184 euro, ndërsa kthimi nga 68-96 euro.

Sipas të dhënave të TIA-s, drejt Londrës dhe anasjelltas në 2024-n udhëtuan 838 mijë pasagjerë, ose 7.8% e totalit. Roma është pak më e lirë, me vajtje 6.4 mijë lekë dhe kthim 12-14.5 mijë lekë, me Wizz Air. Ryanair është më konkurrues për Romën, me vajtje 35-52 euro në 9 gusht dhe kthim 92-103 euro në 11 gusht

Lajme të tjera |  REPLIKAT në fushatë/ "Do ju hamë të gjallë" e "çyryk", Alizoti -Ramës: Ti je pasardhës i gjysmëopingës

Roma është destinacioni i tretë i fluturimeve, me 607 mijë pasagjerë në 2024-n, ose 5.7% e totalit. Për në Bolonja (destinacioni i katërt, me 476 mijë pasagjerë, ose 4.4% të totalit) për të njëjtat data, vajtja kushton 6.4-82 mijë lekë dhe kthimi 9.3-19.2 mijë lekë, me Wizz Air.

Stambolli, destinacioni i shtatë, me 407 mijë pasagjerë në 2024-n është gjithmonë i shtrenjtë. Në 9 gusht, nga Tirana në Stamboll me Air Albania, bileta më e lirë është 132 euro dhe më e shtrenjta 328 euro. Kthimi në Tiranë në 11 gusht kushton nga 148 në 276 euro. Me Pegasus Airlines, vajtja në të njëjtën datë është 73 euro dhe kthimi 103 euro.

Nëse doni të shkoni në Paris në verë, vajtja kushton 15.6 mijë lekë dhe kthimi 18.7 mijë lekë, me Wizz Air. Me Ryanair çmimi kushton 172 euro drejt Parisit dhe kthimi 135 euro.

Barcelona është një tjetër destinacion që në verë është i shtrenjtë. Për të shkuar në datën 9 gusht, bileta kushton nga 13.5-18.7 mijë lekë dhe kthimi 22.4 mijë lekë, me Wiz Air. Nuk është e lirë as Gjermania, që si shtet është destinacioni i dytë pas Italisë (10.3% të totalit të udhëtimeve në 2024-n). Për në Frankfurt, më i frekuentuari nga qytetet gjermane, vajtja në 11 gusht kushton 19.7 mijë lekë dhe kthimi 6.2 mijë lekë, me Wizz Air.

Lajme të tjera |  Vaji i ullirit mbetet sërish stok, eksportet bien 75% për periudhën janar-mars

Shtrenjtimi i biletave vë kohën e sezonit të verës është një praktikë e përhershme e kompanive ajrore, si rrjedhojë e kërkesës së lartë për udhëtime. Pas mesit të shtatorit çmimet fillojnë e ulen, për tu shtrenjtuar sërish në festat e fundvitit. Biletat më të lira përgjithësisht janë nga shkurti deri në prill.

Vitet e fundit, hyrja e operatorëve me kosto të ulët ka bërë që çmimet e biletave të ulen edhe në 20 euro në një drejtim, nëse priten dy apo tre muaj më parë. Sa më shumë afrohet data e udhëtimit, aq më të shtrenjta bëhen udhëtimet. Sipas të dhënave të TIA, në vitin 2024 udhëtuan një numër rekord prej 10.7 milionë pasagjerë në 2024-n, me një rritje prej 47.5% me bazë vjetore, e nxitur dhe nga kthimi i Shqipërisë në destinacion turistik, ku rreth 60% e udhëtarëve ishin të huaj.

INSTAT raportoi se në tre mujorin e parë të këtij viti, rritja është ngadalësuar ndjeshëm. Për janar-mars 2025, kanë udhëtuar me linja ajrore 2.083.050 pasagjerë nga 1.909.757 pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u rritur me 9,1%. Një vit më parë, zgjerimi në tremujorin e parë kishte qenë rreth 64%.

Sipas TIA-s, në shkurt 2025, kur raportohet e dhëna e fundit, Wizz Air ishte operatori më i madh në treg, me 63.2% të fluturimeve. Në vend të dytë është Ryanair, me 22.8%, i ndjekur nga Pegasus Airline me 2.79% dhe Air Albania me 2.3%./ Monitor

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us