Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Aleksandër Krrashin, shoferin e betonieres me të cilin u përplas makina që udhëtonin katër viktimat. Po ashtu, edhe ndaj kushëririt të tij, Valentin Krrashi, që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja iu la masa e sigurisë “arrest me burg”. Ndërsa, për menaxherin e firmës, Danjel Koxha u la masa “detyrim paraqitje”.
Ndërsa në dëshminë e tij, shoferi është shprehur se “u kërkoj ndjesë familjarëve”, ai më tej ka rrëfyer se ishte punësuar prej dy muajsh në kompaninë Hel Jon nga administratori i firmës Saimir Hoxha. Ai gjithashtu ka pranuar para trupës gjykuese se nuk ka patentë për mjete të tonazhit të rëndë.
“Nuk kam patentë drejtimin e betonierës, por kam patentë të kategorisë tjetër”, ka thënë.
“Sa dola në rrugë dëgjova një përplasje të fortë”,ka shpjeguar Krrashi, duke shtuar se po iu drejtohej një pike për t’u mbushur me karburant.
Menjëherë pas aksidentit, ai ka telefonuar kushëririn e tij, Valentin Krrashi, i cili ka mbërritur në vendngjarje me një betoniere të dytë.
“U munduam të fiknim zjarrin me betoniere por zjarri ishte i fuqishëm”, 24-vjeçari. Pasi gjithçka ka qenë e pamundur, ata janë larguar nga skena e aksidentit.
Sipas “Top Channel”, prokurori Arbër Berexha theksoi se i dyshuari nuk kishte patentë për drejtimin e betonieres dhe se as makina e tonazhit të rëndë nuk kishte dokumente. Pritet ekspertiza tjetër për të caktuar gjendjen teknike të mjetit të rëndë, nëse është fikur befas apo nuk janë respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.
Seanca u drejtua nga gjyqtari Edvan Vecani. Ndaj 24-vjeçarit, prokuroria ngriti veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Sipas materialit të referuar nga Policia Rrugore, shoferi nuk ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimit, ndërkohë që para përplasjes fatale kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se mjeti “Mercedes Benz” me të cilin po udhëtonin të rinjtë ishte me shpejtësi 170 km/h në orë dhe para se të përplasej me betonieren ka parakaluar dy kamionë. Duke qenë se sapo kishte bërë një parakalim, drejtuesi i mjetit nuk kishte fushëpamje dhe se ka kuptuar që pasi të kalonte kamionin do të përplasej me betonieren.
Enejd Laçi, Andi Laçi dhe Enrikejd Kurti ishin nisur për të marrë Erild Laçin në Rinas, i cili sapo kishte ardhur nga Gjermania. Por në kthim, ndodhi aksidenti tragjik dhe katër të rinjtë u dogjën brenda automjetit dhe ndërruan jetë.
Ndërsa drejtuesi i betonieres Aleksandër Krashi është larguar nga vendngjarja në momentin që ka ndodhur përplasja pasi nuk kishte patentë për të drejtuar betonieren. Por, disa orë më vonë, ai u vetëdorëzua në polici. Në pranga është vënë edhe menaxheri i firmës së prodhimit të betonit, Danjel Koxha, 34 vjeç i cili akuzohet se nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar në të zezë drejtuesin e betonieres, pa patentë. Administratori i firmës së betonit është shpallur në kërkim.