Aktualisht mban postin e kreut të DPSHTRR, kush është Blendi Gonxhja që do të drejtojë ministrinë e re në qeverinë ‘Rama’

Blendi Gonxhja është propozuar nga kryeministri Edi Rama si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Një dikaster i ri i krijuar në qeveri, që do të sjellë shkrirjen e dy ministrive, atë të Ekonomisë dhe atë të Kulturës.

Po kush është Blendi Gonxhja?

Aktualisht Blendi Gonxhja mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Më herët, Blendi Gonxhja ka mbajtur edhe postin e Drejtorit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës.

Blendi Gonxhja ka lindur në Tiranë, më 15 Qershor 1970.

Në vitin 1989, Blendi Gonxhja kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe në vitin 1993, u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve (sot UAB).

Si një ndër zërat më të spikatur rinor, Blendi Gonxhja ishte ndër protagonistët kryesorë udhëheqës të Lëvizjes Studentore për Demokraci që shpejtoi fundin e regjimit më të egër komunist të Lindjes në Dhjetor 1990 dhe ndër themeluesit e partisë së parë opozitare, të erës postdiktatoriale. Në vitin 1991, udhëhoqi grevën studentore për shembjen e kulteve të diktaturës.

Përgjatë viteve të angazhimit publik, Blendi Gonxhja ka themeluar dhe drejtuar shumë organizata e shoqata rinore, jo-qeveritare dhe humanitare si: Federata e Rinisë, Këshilli Studentor, Fondacioni Zvicerian në Ndihmë të Shkollave, si dhe ka mbajtur role kryesore në Forumin për Demokraci dhe Aleancën Demokratike. Një angazhim i rëndësishëm ishte edhe roli si Koordinator Kulturor i të parit grup të Korpusit të Paqes së SHBA në Shqipëri.

Lajme të tjera |  Anulimi i seancës plenare, Spiropali i përgjigjet Bardhit: Ftoj autorin e goditjes me këmbë karrigeje të reflektojë!

Në Korrik 1996, Blendi Gonxhja dëshmoi përpara Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në “Dëgjesën për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Shqipëri” gjatë Kongresit Amerikan. Po atë vit, iu akordua Bursa “Fullbright” në Fakultetin e Studimeve Europiano-Lindore, Universiteti i Miçiganit (SHBA).

Në vitin 1998, Blendi Gonxhja u emërua si Shef i Kabinetit i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Edi Rama, ku u angazhua për zhvillimin e politikave mbrojtëse dhe të qëndrueshme të cilat u finalizuan me njohjen e Butrintit si Park Kombëtar, krijimin e Fondacionit të Butrintit (një nga zonat më të rralla për vlerat arkeologjike dhe të ekosistemeve në rajon), zhvillimin e Projektit të Bankës Botërore për turizmin elitar, ruajtjen e Zonës së Bregdetit të Jugut, si dhe shumë projekte të tjera në promovimin e artit dhe kulturës në Shqipëri.

Në vitin 2000, Blendi Gonxhja u emërua Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Pas impenjimit si Këshilltar i Fondacionit “Rothschild” dhe “Packard” në 2003, iu dedikua aktivitetit si një sipërmarrës në fushën e shërbimeve të lidhura me transportin për pasagjerë dhe automjetet në Greqi dhe Shqipëri, duke mbajtur edhe një profil publik aktiv ndër vite.

Lajme të tjera |  "Ti ki kujdes..."/ Vokshi në komision, i përplas mikrofonin Ndrecës/ Deputeti i PS: Ke nevojë për qetësues, je deformuar frikshëm

Nga Gushti 2015, Blendi Gonxhja iu bashkua ekipit të ri të Bashkisë Tiranë të drejtuar nga Kryetari Erion Veliaj si Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit. Nga Tetori 2015, drejtoi Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të themeluar nga Bashkia Tiranë, ku gjatë periudhës që drejtoi këtë agjenci, u ndërmorën nisma thelbësore për kryeqytetin që sollën transformimin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial dhe rikualifikimin e objekteve publike ku vlen të veçohet Amfiteatri i Tiranës, krijimin e dhjetra shesheve të reja rekreative për fëmijët nëpërmjet projektit Luaj Tirana, nisma “Dhuro një Pemë” në kuadër të projektit të Pyllit Orbital, aktivitetet rekreative të Tirana Ime Outdoor e shumë projekte të tjera.

Nga Nëntori 2018, Blendi Gonxhja u emërua nga Kryeministri Edi Rama për të drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us