Në Vlorë ka qarkulluar një sasi qumështi dhe nënprodukte të tij të ndotura me aflatoksinë. Prezenca e qumështit kancerogjen në Vlorë është konfirmuar nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit. Sipas AKU, ka pasur informacion për një lot të qumështit që ishte shpërndarë edhe në Vlorë. Menjëherë pas konfirmimit të analizave laboratorike të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), AKU nisi verifikimet në pikat e shitjes ku dyshohej se ishin shpërndarë produktet e kontaminuara. Gjatë kontrolleve në qytet janë evidentuar 10 mostra në markete dhe supermarkete.
Autoritetet kanë nisur hetime për të identifikuar burimin e ndotjes dhe për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen. Ndërkohë, qytetarët në Vlorë këshillohen të jenë të kujdesshëm.
Çfarë është aflatoksina?
Aflatoksina është një toksinë e krijuar nga myku që rritet tek drithërat, misri dhe gruri. Kur lopët ushqehen me foragjere të kontaminuara, aflatoksina sekretohet më pas te qumështi që prodhojnë. Konsumimi i qumështit me aflatoksinë ka pasoja të rënda në shëndetin e njeriut. Sipas OBSH-së, aflatoksina është kancerogjene e grupit 1, rrit rrezikun për probleme në mëlçi njëkohësisht edhe të veshkave.