Akuza e fortë e Albin Kurtit: Kemi prova se Serbia ndërhyri drejtpërdrejt në zgjedhjet e 9 shkurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të dielën se ka ndërhyrë drejtpërdrejt në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, dhe se ka ndikuar në zgjedhjen e deputetëve serbë dhe të pakicave të tjera.

“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë dhe Partinë Demokracia Serbe, si dhe votuesit të subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë dhe ashkali”, tha ai.

Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë udhëhiqet nga Nenad Rashiq, i cili është ministër në Qeverinë e Kurtit, i emëruar pas largimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.

Përfaqësues të caktuar nga pothuajse të gjitha subjektet e tjera politike serbe janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë, sipas Kurtit.

Lajme të tjera |  PD kërkon shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës: Ka 3 muaj që nuk paraqitet në detyrë

Ai tha se këto raste janë shënuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por edhe në gjashtë komunat e tjera në jug të vendit.

“Për shumicën e këtyre rasteve, institucionet tona kanë dëshmi të cilat për hirë të privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve serbë, nuk e dobishme të bëhen publike”, tha Kurti.

Misioni vëzhdues i BE-së, në prezantimin e gjetjeve preliminare të tij për zgjedhjet e 9 shkurtit, tha se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka marrë mbi 38.000 vota, ndërsa partia e Rashiqit rreth 4.000 vota.

Lajme të tjera |  Presidenti Begaj-qytetarëve për 11 majin: Keni në dorë fatin tuaj dhe të brezave që do të vijnë

Kushtetuta e Kosovës garanton dhjetë nga 120 vendet e Kuvendit për komunitetin serb dhe dhjetë të tjera për komunitetet e tjera joshumicë./REL

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us