Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas dhunës ndaj avokatit, Sokol Mëngjesi.
Balla shprehet se Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa u përgjigjur akuzave të Rithemelimit, duke u shprehur se “zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij”.
Reagimi i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:
Lexoj që zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi.
Ngjarja e ndodhur në mëngjes është në ndjekje nga Policia e Shtetit, e cila tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve. Kam komunikuar edhe personalisht me kolegët e avokatit sapo kam marrë dijeni dhe i falënderoj për disponimin qytetar në funksion të sqarimit të ngjarjes.
Kam komunikuar edhe me mjekun që po kujdeset për shëndetin e avokatit. Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllimi vetëviktimizimin politik të një të korruptuari madhor!
Ngjarja u shënua mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:50 minuta, në zonën e ish bllokut, sapo avokati kishte lënë djalin në kopsht. Nga ajo çfarë kanë filmuar kamerat e sigurisë 3 autorët kanë qenë të pamaskuar por kanë qenë të veshur me kapele dhe me rroba të zeza.
Mësohet se policia ka identifikuar njërin prej autoreve dhe ka ushtruar kontroll në banesën e tij por nuk e ka gjetur.
Nga kamerat e sigurisë duket se autorët i janë afruar Mëngjesit dhe fillimisht e kanë qëlluar me shpulla. Avokati duket se i ka njohur autorët pasi fillimisht komunikon me ta dhe më pas ata e kanë qëlluar edhe me sende të forta.