Ambasadorja Kumbe: 5 shqiptarët që u ‘bllokuan’ në Izrael në gjendje të mirë shëndetësore

Pesë shqiptarët që ndodhen në Izrael janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe tha se është në kontakt me ta çdo ditë dhe thekson se shqiptarët ndodheshin në Izrael për arsye pune ose turistike.

Sa u takon emigrantëve shqiptarë që jetojnë atje prej vitesh, Kumbe shprehet se nuk kanë asnjë pretendim për t’u larguar, pasi janë mësuar me këto situata.

“Sa herë ka sulme, jemi në kontakt sidomos me ata shtetas që nuk janë me qëndrim të përhershëm në Izrael. 5 qytetarë janë ndodhur rastësisht për obligime profesional edhe arsye turistike, janë të akomoduar në hotel ose ata që janë për punë në strukturat ku i kanë akomoduar institucione që po punojnë.

Me ta jemi në kontakt disa herë gjatë ditës. Qytetarët shqiptarë që i përkasin komunitetit shqiptaro-hebraike, ose emigrantët shqiptarë që jetojnë prej vitesh, janë të qetë, janë mirë janë më të mësuar me këto situata dhe kjo bën që menaxhimi i përditshmërisë në këto kushte janë më të kollajshme. Nuk kanë shfaqur asnjë pretendim për t’u larguar nga vendi”, shprehet Kumbe për Report Tv.

Kumbe tregoi se gjatë natës janë përballur me 3 valë sulmesh me raketa nga Irani. I gjithë stafi diplomatik është në banesa dhe aktualisht të hapura janë vetëm shërbimet bazike, si supermarkete, farmaci dhe furrat e bukës.

Lajme të tjera |  Irani nis një valë të re sulmesh me raketa, thirrje izraelitëve: Largohuni nëse doni të jetoni

“Jemi nëpër banesa, ky ka qenë udhëzimi i sigurisë për të gjithë trupin diplomatik, zyrat dhe shkollat nuk funksionojnë. Ata që po punojnë janë nga shtëpia. Strukturat që ofrojnë shërbime bazike si supermarkete, farmacitë dhe furrat e bukës janë të vetmet të hapura gjatë këtyre ditëve.

Jemi në dispozicion të çdo qytetari që na kontakton përmes celularit dhe përmes email. Dita paraqitet e qetë, deri tani. Mbrëmë kemi pasur tre sulme nga ora 11 e natës deri rreth orës 5 të mëngjesit, me raketa balistike dhe shpërthimet kanë qenë goxha të forta”, thekson Kumbe.

Kumbe tregon edhe si strehohen qytetarët në dhomat e sigurisë pas alarmit për sulme.

“Ka disa lloje dhomash, nëpër banesa tek pallatet që janë ndërtime të 10-15 viteve të fundit, ndërtimet më të vjetra e kanë dhomën e sigurisë poshtë pallatit. Janë strukturat e sigurisë së bashkisë të vendosura në hapësira të ndryshme publike. Nëse dikush ndodhet në rrugë ka gjasa që në afërsi të vet të ketë një ose më shumë struktura sigurie publike që janë të hapura dhe njerëzit mund të vrapojnë dhe të futen. Dalim nga dhoma nëse na vjen njoftimi që mund të dilni”, tha Kumbe.

Lajme të tjera |  Netanyahu nuk përjashton vrasjen e liderit suprem të Iranit: Do t’i jepte fund konfliktit

Në fund, Kumbe ka edhe një mesazh për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Kam pak më pak se dy vite. Njeri mësohet me të gjitha, kemi luksin dhe fatin e madh të lindim në Shqipëri, të kemi një vend të bukur dhe të paqtë. Kjo është vlerë e jashtëzakonshme që kur jemi aty se kuptojmë sa duhet, por kur vijmë në realitete si këto tani është ai momenti i reflektimit dhe themi sa me fat që jemi”, thekson ajo.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us