Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të “vulës” Enkelejd Alibeaj ka propozuar këtë të mërkurë në Komisionin e Ligjeve, të mbledhur online që në Projektligjin për Amnistinë që pritet të kalojë në Kuvend të përfshihen dhe amendamentet e propozuara nga PD zyrtare për faljen e protestuesve demokratë. Por këtu ka një “ngërç”, propozimet e Alibeajt kanë të bëjnë vetëm me ata protestuesit 2018-2020, kohë që opozita drejtohej nga Lulzim Basha.
Sipas Alibeajt, në këtë amendament synohet që të mbrohen “protestuesit e opozitës në zonat e Astirit, Bregut të Lumit, Shkozës, Teatrit, studentëve dhe vrasjes së Klodian Rashës”.
“Përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera gjatë tubimeve apo protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020, të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282, të Kodit Penal”, thuhet në amendamentin e Enkelejd Alibeajt.
Propozimet e bëra nga Enkelejd Alibeaj ngjallin “dyshime” se punohet për arritjen e një “marrëveshjeje”pas “dyerve” mes grupimit të Lulzim Bashës dhe maxhorancës, e cila është shprehur se është e gatshme të ‘lëshojë pe”, arritjen e kourumit të duhur të votave në parlament që duhen për të kaluar projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë.
Nga ana tjetër Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha dhe me kryetar grupi Gamzent Bardhin e ka kushtëzuar votën e saj me plotësimin e kërkesave të tyre, që kanë nxitur dhe kaosin në Kuvend që prej tetorit të shkuar.