Projektligji për amnistinë, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë e që pritet të kalojë në parlament ka ngjallur diskutime të shumta mes palëve politike. Kështu sipas kryetarit të Komisionit të Sigurisë Nasip Naço amnistia duhet të ketë një qasje më të gjërë, ndërsa shtoi e të burgosurit deri në 5 vite duhet të lirohen. Deklaratën e bërë në një prononcim për “TCH”.
Napi Naço: Për mendimin tim duhet zgjeruar efekti amnistisë. Janë me dhjetëra vendime të dhëna nga gjykata në drejtim të shërbimit të provës persona të dënuar deri në pesë vjet. Ne e kemi 2 deri në tre vjet për veprat penale dhe besoj se për mua duhet zgjeruar gama e dhënies së amnistisë. Unë do të votoja për vepra penale që janë 5 vjet e poshtë të dënuar.
Kalimi i amnistisë në Kuvend, e ka vështirësuar punën e mazhorances. Kjo pasi projektligji kërkon 84 vota, e kështu rrjedhimisht dhe votat e opozitës. Në këtë rast Naço jep sinjalin e parë për të çuar përpara dhe propozimet e opozitës.
Nasip Naço: Për të plotësuar 3/5 do të duhet pjesa e opozitës dhe sigurisht opozita për mos të qenë fasadë ka të drejtën e bërjes së propozimeve e veta dhe ne ti marrim parasysh në funksion edhe të dhënies së amnistisë.
Ndërkohë deputeti i PD Ferdinand Xhaferraj, shprehet për “TCH”, se amendamenti i propozuar prej tij ndjek parimin “qytetarët të parët”. Ndërsa nuk shprehet i sigurt nëse ky projekligj do të ketë mbështetjen e grupit të PD, jep sinjalin që vota e tij mund të jetë pro.
Ferdinand Xhaferraj: Amendamenti synon të shpëtojë përveç të gjithë atyre individëve në territorin shqiptarë që kanë një vendim të shkallës së parë në dy vjet dhe shumë kolegë e bashkëpunëtor të mi që në protestat që bënin deri para zgjedhjeve të 2021 janë dënuar me një vendim të shkallës së parë. Ka protestues që enden ende nëpër gjykata dhe njëkohësisht që ka ndonjë koleg deputet që përfiton nga ky amendament unë do të isha shumë i kënaqur sepse sikurse e kam sqaruar në paragrafin dy të amendamentit kjo dhënie amnistie përjashton të gjithë ata individë që vepra e tyre penale klasifikohet e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo është një çështje që kalon përtej vendimmarrjes time politike që është individuale. Ka të bëjë me vendimin e grupit. Unë deri më sa kam propozuar amendament dhe nëse amendamenti shkon përpara në mënyrë të padiskutueshme duhet të ecim në binarët e seriozitetit politik.
Përmes projekt-ligjit përfitojnë dhe përjashtohen nga vuajtja e dënimit burrat e dënuar me vendim të formës së prerë me burgim deri në 3 vite ose çdo dënim tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një dënim tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri më datë 30.11.2023, pavarësisht sesa kohë mbetet nga dënimi. Gjithashtu, përfitojnë dhe përjashtohen nga vuajtja e dënimit, gratë që janë dënuar me burg deri në 4 vite, ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, përrfshirë gjobën ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri më datë 30.11.2023, pavarësisht faktit sesa kohë mbetet për të vuajtur dënimin. Ministria e Drejtësisë deklaron se qëllimi i projekt-ligjit është që të përjashtojë nga vuajtja e dënimit ose ndjekja penale, në mënyrë të plotë ose të pjesshme, të gjithë personat që plotësojnë kushtet, sipas projekt-ligjit në fjalë