Një sistem zgjedhor, aktuali, ka lënë pa përfaqësim plot 120 mijë shqiptarë. Partitë e vogla kanë marrë deri më tani, brenda vendit, 180.574 vota.
Mesatarja për të nxjerrë një deputet është 10 mijë vota, teksa partitë e vogla deri më tani kanë nxjerrë vetëm 6 ulëse në Parlament!
Nëse do të kishim një sistem kombëtar, atëherë numrat do të ishin ndryshe.
Por, votat e këtyre partive (bishtat) shkuan te partitë e mëdha, të cilat maksimilizuan votat. Përfituesja kryesore është Partia Socialiste dhe pas saj Partia Demokratike.
Por, nëse do të bëjmë një krahasim me votat e 2025-es dhe votat e 2021-shit rezulton se PS-ja ka pësuar ulje.
VoxNews ka bërë një analizë të votave të marra nga PS brenda vendit në dy zgjedhjet e fundit parlamentare. Në vitin 2021 PS-ja ka marrë në rang kombëtar plot 768.134 vota.
Atëherë nxori 74 deputetë. Ndërkohë, në zgjedhjet aktuale ka marrë brenda vendit 698.485 (pa diasporën) dhe deri më tani ka 82 deputetë!

Fitoi Rama apo HUMBI Berisha?!
Shifrat janë këto dhe të patjetërsueshme. Nëse PS-ja në vitin 2021 mori 768 mijë vota, në ato zgjedhje PD-ja mori 622.187 vota.
Nëse do të bëjmë një krahasim me votat e vitit 2025 (janë pa u numëruar edhe 200 kuti në rang kombëtar), ku deri më tani ka marrë 462.233 vota, rezulton se PD-ja (bashkë me LSI-në) ka marrë më pak 160 mijë vota.
Një numër tejet i lartë, i cili nëse do të përkthehej në mandate, do të ishte shumë herë më tepër.
Madje, te shifrat e vitit 2025 janë edhe votat e ish LSI-së, e cila në vitin 2021 mori plot 107.538 vota dhe nxori vetëm 4 deputetë.
As bashkimi mes PD-së dhe LSI-së (aktualisht Partia e Lirisë) nuk i bëri derman Berishës në këto zgjedhje, i cili pësoi një disfatë të rëndë.
Duket se, më shumë sesa fitore e PS-së, kjo është një “shuplakë” për dyshen Berisha-Meta.
I pari ka marrë 160 mijë vota më pak, teksa i dyti as nuk i ka shtuar koalicionit, por vetëm sa e ka ulur në minimum numrin.
Për të mos thënë edhe për mos përfaqësimin e partive të vogla.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
