Trajneri Carlo Ancelotti, ka folur për herë të parë, pas njoftimit zyrtar për largimin nga drejtimi i Real Madrid.
Tekniku italian foli me fjalë të mëdha për madrilenët, duke thënë se një periudhe të bukur i vjen fundi.
Ancelotti tha se nuk pendohet për asgjë, duke shtuar se 11 trofetë e fituar flasin vetë për këtë aventurë.
“Futbolli, ashtu si jeta, një aventurë që fillon dhe mbaron. Kur mbërrita këtu, e dija se një ditë do të mbaronte. Një periudhe të bukur po i vjen fundi. Kam kaluar mirë dhe mendoj se njerëzit kanë kaluar mirë.
Ditën që arrita këtu, nëse do të më kishin thënë se do të fitoja 11 trofe, do ta kisha nënshkruar menjëherë. Nuk pendohem për asgjë. Kam kaluar një kohë fantastike dhe dua t’i kaloj ditët që më kanë mbetur këtu në të njëjtën mënyrë. Kam dhënë gjithçka nga vetja dhe titujt flasin vetë.
Nuk kam ndjerë kurrë se Real Madridi nuk më donte. Ishte koha për një ndryshim. E pranoj me qetësi. Ishte një vendim i ndërsjellë.
Një mijë falënderime këtij klubi dhe unë do të mbetem tifoz i Real Madridit për gjithë jetën. Nuk e kisha menduar kurrë se mund ta stërvisja Real Madridin për gjashtë vjet.
Kemi kaluar shumë mirë, jo gjithçka ka shkuar në mënyrë perfekte, por janë disa momente që nuk do t’i harroj kurrë dhe e di që as tifozët nuk do i harrojnë”, u shpreh Ancelotti, para ndeshjes me Mallorca-n.
Tekniku italian nga 26 Maji do të nisë një aventurë të re, këtë herë në stolin e kombëtares së Brazilit.