Britania e Madhe vazhdon që të dëbojë shqiptarët, pas përfundimit të dënimit ose për mbërritjet ilegale atje. Këtë të mërkurë, me një avion charter, janë dëbuar në total 55 shqiptarë. Mes të dëbuarve ka edhe persona që kanë përfunduar dënimet për vepra penale si vrasja, grabitja, trafiku i njerëzve, mashtrimi dhe armëmbajtja pa leje.
Tetori i vitit 2023 shënoi numrin më të lartë të azilkërkuesve në shtetet e BE-së. Në këtë periudhë janë shënuar 114830 kërkesa, me një rritje prej 17 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë me 2022-shin. Sirianët janë personat që kërkojnë më së tepërmi azil, bashkë me turqit dhe afganët. Pas tyre vijnë shqiptarët.
Për periudhën janar-nëntor 2023, aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë arritën në 8575, duke shënuar një rënie të lehtë prej 0.4 përqind. Franca është vendi më i preferuar i BE-së për azilantët nga Shqipëria, duke shënuar rritje të ndjeshme. E njëjta tendencë u shënua edhe me Gjermaninë, teksa në muajt e fundit të vitit që lamë pas, kishte shifra në rritje të shqiptarëve që kërkojnë azil.
Sa i përket Mbretërisë së Bashkuar, prej nënshkrimit të marrëveshjes së ripranimit mes Anglisë dhe Shqipërisë dy vite më parë, janë deportuar nga shteti anglez drejt Tiranës, 3500 shqiptarë.