Një vendim i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për t’ia hequr kompetencat kryetares së komanduar, Anuela Ristani e për t’ia deleguar ato Sara Goxhajt bëri xhiron e medieve, ndërsa nisën spekulimet se kishte një përplasje të fortë mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama.
Duke qenë se në emisionin “Opinion” u diskutua për këtë çështje, Ristani reagoi për gazetarin Blendi Fevziu pasi emri i saj u përmend gjatë debatit.
Ajo tha se nuk është e besuara Ramës siç u quajt në studio dhe se komunikimin me kryeministrin e ka pasur për herë të parë kur i është deleguar detyra.
Po ashtu tha se në bashki nuk është zënë askush “me gishta në vesh” duke shtuar se gjithçka ndodhi me çështjen e delegimit, ishte një keqkuptim.
“Kam një reagim nga Anuela Ristani. Më thotë zoti Fevziu ndjesë, por duke ju ndjekur vërej se po përgojohem me të pavërteta që do ishte shumë e lehtë të mësonit se sa të pavërteta janë. Unë nuk jam e besuara e Ramës siç më quajtën aty sepse me kryeministrin nuk kisha komunikuar asnjëherë përpara se të merrja delegimin nga kryetari Veliaj. Dhe në Bashkinë e Tiranës nuk është zënë askush me “gishta në vesh”, ndërsa keqkuptimi i krijuar nga pamundësia e komunikimit normal nuk ka asnjë lidhje nga fishekzjarrët mediatikë të ditës së sotme. Do të vlerësojë leximin e mesazhit tim për të korrigjuar sadopak shtrembërimin e emrit tim në publik, Anuela Ristani”, thuhej në reagimin e saj.