Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, për të mbajtur të sekuestruar celularin e deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi. Vetë Kryemadhi e kishte apeluar vendimin, pasi sipas saj materialet e sekuestruara kanë qenë publike, dhe dosja lidhet me aferën e inceneratorëve. Nga Prokuroria e Posaçme nuk ka asnjë njoftim se pse është kërkuar dhe më pas sekuestruar celulari i Kryemadhit, nëse kjo lidhet me inceneratorët, apo me dosjen e lobingjeve që ka të hapura Partia e Lirisë.
VENDIMI:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Igerta Hysi, sot më 04.01.2024, ora 09:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 189 akti, datë 27.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses M.K., me objekt:
“Ankim ndaj vendimit nr. 481, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka rrëzuar kërkesën e shtetases M.K. për heqjen e sekuestros dhe kthimin e sendit të sekuestruar (telefon i markës Iphone)”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 481, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”