SUKTH – Edhe pse tashmë është publikuar një video tronditëse, që tregon dhunën së paku psikologjike të Xhemal Lokës ndaj viktimës Bedrie Loka, vëllai i të arrestuarit për çuarje të bashkëshortes drejt vetëvrasjes ka një tjetër version. Famir Loka, vëllai i Xhemal Lokës, ka thënë se vëllai i tij është i pafajshëm. Ai tha se shkak për vetëvrasjen e Bedrie Lokës ka qenë video në TikTok. Sipas tij, video në rrjetet sociale ishte hapur nga vajza e tezes së Bedries, ndërsa shton se nuk kishte dhunë në çift.
“Shkak i vetëvrasjes është Tik Tok, që ia ka hapur goca e tezes së saj. Nuk kishte asnjë lloj dhune në çift”, ka deklaruar Fatmir Loka, raporton TCH. Për armën në banesë ai ka një version të çuditshëm. Sipas Fatmir Lokës, arma është vendosur pas ngjarjes dhe se këtë gjë do ta denoncojë. “Ta gjejnë se kush e ka futur armën, nuk ka patur armë në banesë. Nuk mundem t’i vë gisht dikujt. Ata që e kanë vënë ta gjejë policia. Do të denoncojmë për armën se kush e ka vendosur”, tha ai.
Fatmir Loka është shprehur se ka kërkuar të pijë kafe me vëllezërit e Bedrie Lokës, por se ata nuk e kanë pranuar. “Fëmijët janë në shtëpi të vet. S’kam pasur kohë, pasi kam dashur të kërkoj të drejtat e vëllait tim. Me familjarët e të ndjerës kemi pasur komunikim vetëm nëpërmjet mediave. Kam kërkuar që të shkoj edhe të pi kafe te vëllezërit e Bedries, por nuk më kanë pranuar”, tregon ai.
45-vjeçari Xhemal Loka u arrestua të shtunën pas hetimeve të para që nxorën në dritë se ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e ka dhunuar dhe në sy të fëmijëve të tij. Vëllezërit e Bedrie Lokës kanë pretenduar se ajo është varrosur me shenja dhune.