Presidenti i SHBA, Donald Trump deklaron se është arritur një armëpushim prej 12-orësh midis Izraelit dhe Iranit, dhe se pas kësaj periudhe lufta do të përfundojë.
Kjo deklaratë e Trump vjen pas një periudhe të tensionuar, ku SHBA-të kanë realizuar sulme ajrore ndaj disa objekteve bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordow, Natanz dhe Isfahan. Trump ka cilësuar këto sulme si një “sukses të madh ushtarak” dhe ka paralajmëruar se çdo hakmarrje nga Irani do të ndeshej me një forcë shumë më të madhe.
Mbrëmë sulmi raketor iranian në bazën ajrore amerikane Al Udeid në Katar ishte akt tejet simbolik, i kalibruar me kujdes për të dërguar mesazh vendosmërie, por edhe për të shmangur një konflikt më të gjerë dhe shkatërrues.
Irani tha se numri i raketave të nisura më 23 qershor ka qenë i njëjtë me numrin e bombave të nisura nga Shtetet e Bashkuara në qendrat bërthamore iraniane, duke sinjalizuar se synon përgjigje proporcionale dhe jo përshkallëzim të situatës në mënyrë të pakontrolluar.
Kjo simetri në veprime e vë në pah dëshirën e Iranit për të demonstruar se do të përgjigjet për sulmet që janë kryer në tokën e vet, por edhe që nuk e dëshiron një lufë të shkallës së gjerë.
Kjo vetëpërmbajtje tregon për objektivin e Iranit që të mos shkaktojë viktima, por më shumë që ta ketë këtë veprim si deklaratë politike dhe ushtarake.
Duke ofruar paralajmërime paraprake dhe duke i përzgjedhur me kujdes shënjestrat, Irani u ka mundësuar Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve që të marrin masa, dhe të zvogëlojnë rrezikun e një përshkallëzimi.
Kjo qasje përkujton përgjigjen e Iranit pasi Shtetet e Bashkuara patën vrarë Qasem Soleimanin, gjeneralin e lartë të Gardës Revolucionare te Iranit, i cili është përshkruar gjerësisht si njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran.
Irani është hakmarrë me nisje raketash në bazën ajrore amerikane në Irak, në janar të vitit 2020, por edhe atëherë ka lëshuar paralajmërime, dhe si rezultat nuk ka pasur viktima.
Në të dyja rastet, Irani ka synuar që t’i përmbushë kërkesat e brendshme, ndonëse ka sinjalizuar para komunitetit ndërkombëtar, sidomos aktorëve rajonalë dhe fuqive botërore, se është i hapur për shtensionim.
Kjo taktikë u mundëson të gjitha palëve që të shmangin një konflikt në të ardhmen – liderët mund të deklarojnë se kanë vepruar me vendosmëri, pa kaluar kufirin që do t’i bënte zgjidhjet diplomatike të pamundshme.