Autoriteti Rrugor Shqiparë shpalli tenderat për dy fazat e para të Bypassit të Tiranës. Bëhet fjalë për segmentet nga Kashari deri në Nyjen e Vaqarit.
Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, për fazën e parë të rrugës Kashar-Nyja e Vaqarrit fondi limit është përcaktuar 3.33 miliardë lekë ose 34 milionë euro, ndërsa për fazën e dytë vlera limit është caktuar 2.75 miliardë lekë.
Bypass-i i Tiranës lidh drejtpërdrejt autostradën Tiranë – Durrës me atë Tiranë – Elbasan, duke shmangur hyrjen në kryeqytet.
Me një gjatësi prej 21.6 kilometrash, kjo rrugë do të përshkojë pjesën jugore, jugperëndimore dhe perëndimore të Tiranës, duke filluar pranë Qendrës Tregtare City Park në Kashar dhe duke përfunduar në Mullet, në kryqëzim me autostradën Tiranë–Elbasan. Traseja do të ketë dy korsi në secilën drejtim, një gjerësi prej 10.5 metrash dhe do të lejojë shpejtësi deri në 120 km/h.
Rruga do të kalojë në një terren fushor dhe kodrinor, duke përfshirë ndërhyrje të thella teknike si ura të dyfishta mbi lumin Erzen, ndërtim të një tuneli të ri në Rrogozhinë, dhe vendosjen e tre nyjeve kryqëzimi. Një nga to është me rrugën ekzistuese Tiranë–Durrës (Plepa), ku parashikohet një nyje hyrëse-dalëse për zonat përreth. Dy të tjerat lidhen me autostradën Kashar–Rrogozhinë dhe autostradën Tiranë–Elbasan.
Sipas dokumenteve të tenderit, gjurma e rrugës përshkon zona bujqësore, përfshirë fshatrat Allgjatë, Picallë dhe Stërmas.
Bypass-i i Tiranës konsiderohet si një ndër projektet më strategjike për përmirësimin e qarkullimit ndërqytetas në vend.