Gazetari Artan Hoxha në emisionin “Të paekspozuarit”, foli për arrestimin e Lulzim Berishës në Spanjë. Hoxha tha se Lulzim Berisha kishte 1 vit e gjysmë që jetonte në Spanjë, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijën e tij.
Gazetari bëri me dije se Berisha ka dhe 6 vite dënim për të shlyer në Shqipëri. Ai shtoi se pritet që ndaj tij të ketë edhe hetime më të thelluara, për shkak të dyshimeve se Berisha ka biseda në Sky.
Lulzim Berisha u arrestua për herë të parë në 6 prill 2006 derisa në 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate. Por, Gjykata e Lartë, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm Berishës dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.
Megjithatë Lulzim Berisha u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para se t’i përfundonte afati për shkak se vuante nga një sëmundje. Derisa u zhduk sërish. Nga arratia komunikoi dhe lajmëroi se ndodhej në Turqi për t’u kuruar pasi vuante nga një sëmundje, për të cilën nuk dha më shumë detaje. Më 7 dhjetor 2021, Gjykata e Lartë vendosi rikthimin në burg të Lulzim Berishës. Por ndaj tij ka një tjetër akuzë. I penduari i drejtësisë, Luftar Reçi pretendon se Berisha është personi që ka urdhëruar vrasjen e Klodian Saliut, ngjarje për të cilën SPAK ka prerë një urdhër arresti ndaj ish-kreut të bandës së Durrësit.
“Lulzim Berisha është një nga personazhet më të vjetër të botës së krimit, sepse ka dominuar nga vitet 1998-2005. U arrestua në Maqedoninë e Veriut në atë kohë nga RENEA, u dënua me burg përjetë. Gykata e Lartë prishi dënimin me burg përjetë, iu ndryshuar dënimi në 25 vjet burg. Ai mori bonuse shëndetësore, që ishte sjellë të mirë gjatë kohës që ishte në burg dhe Bashkia Durrës i garantoi një vend pune, kështu doli nga burgu. Në janar 2022 u shpall në kërkim dhe njëherë, sepse Gjykata e Lartë e rrëzoi dënimin me kusht dhe riktheu dënimin e mëhershëm, që Berisha të vuajë dënimin me 6 vite. Jetonte në Spanjë me bashkëshorten e tij, me fëmijën e tij. Është në akuzë vetëm për vrasjen e Klodian Saliut. Pritet të shtohen akuzat ndaj tij nga komunikimet në Sky. Ai është kapur në një qytet port në Spanjë, ku bëhet trafiku i drogës”, tha Hoxha.