“Artistja e rrugës”, që nuk hoqi dorë nga ëndrrat

Ëndrrat e bukura, përfundojnë në rrugë”, ishin këto fjalë me lot në sy të profesorit Robert Radoja, teksa shihte ish-studenten e tij ekselente duke kënduar buzë pedonales së Tiranës, që bënë që rrjeti të “ndizej” nga polemikat dhe të kthente shikimin nga arti. Bëhet fjalë për Hyrije Çekanin, një inxhiniere mekanike që kurrë nuk hoqi dorë nga pasioni i saj për muzikën. Por si është jeta e saj? ZËRI bisedoi me Hyrije Çekanin, “Artisten e rrugës”, që na mësoi të gjithëve diçka, që nuk duhet hequr dorë nga ëndrrat.

INTERVISTA E PLOTË PËR ZËRIN:

ZËRIJu jeni në pension? Cila është arsyeja që iu shtyu t’i riktheheni pasionit të vjetër për muzikën? Dhe pse hoqët dorë nga muzika për inxhinierinë mekanike?

Hyrije Çekani: Jam kthyer tek muzika në këtë moshë relativisht jo të re. Mund të më kenë shërbyer 2-3 shkëndija fillestare. E pashë si një dritare ose si një fushë, ku mund të ushtroja profesionin e përkthimit, të cilin unë e kisha ushtruar me licencë prej rreth 20 vitesh. Kam përkthyer anglisht, italisht dhe rusisht. Linguistika bënte që të më vinin edhe materiale të tjera dhe po kisha vështirësi në zotërimin e kësaj fushe. Atëherë e pashë si një dritare, si një fushë, ku mund të ushtroja gjuhët e huaja, nëpërmjet këngëve. Ishte një formë tjetër, një skedar i ri për t’u ruajtur në memorie, gjëra që duhet të ruhen. Kohët e fundit kam pasur kontakt me fenë e krishterë, katolike dhe duke përkthyer materiale fetare jam ndeshur me koncepte shumë të bukura hyjnore, siç trajtohen në fe. Këto koncepte më frymëzuan, Davidi me harpë i këndonte Zotit aq bukur dhe me aq pasion. Të gjitha këto më kanë frymëzuar dhe mund t’i quaj edhe shkëndija të para. Unë jam rritur nga bebe deri në adoleshencën e vonë me praninë e afërt gjithmonë të nënës sime, e cila ishte shtëpiake, origjina e saj ishte shkodrane dhe e kishte talent muzikën, e kishte shumë të fortë pasionin për këngën shkodrane dhe këndonte vazhdimisht pa i thënë njeri, teksa bënte punët e shtëpisë. Unë i rrija gjithmonë përpara dhe mbrapa, që në moshë të vogël deri në një moshë më të rritur. E dëgjova vazhdimisht dhe humbisja në ato këngë, në ato tekste dhe në melodinë që e këndonte ajo. Nëna ime mund të ishte një muzikante e lindur, që kishte gusto ose me vesh muzikor të lindur. Nëna ime dinte t’i binte nga veglat popullore, dajres. Unë u përpoqa ta marr disa herë dajren dhe t’i bie, duke pasur parasysh sesi ajo nxirrte nga dajrja muzikën dhe këngën. Dhe dështoja, sa herë që merrja dajren që i binte ajo për qejfin e vet. Habitesha se unë nuk kisha aftësitë që ajo kishte.

Kur u rrita kërkova që të trashëgoj profesionin e babait, që ishte inxhinier mekanik. Sigurisht edhe në bazë të respektit që kishim për një baba që ishte shumë i sakrificës, ishte shumë i ndershëm. Babai, më bëri mua si vajzë të jepesha pas këtij profesioni, meqenëse dy djemve të tjerë nuk iu doli shansi për inxhinieri mekanike, siç ishte babai dhe unë e mora përsipër që ta trashëgoj atë profesion, për ta nderuar figurën e prindit. Secili e ka të lartë figurën e prindit të vet. Ushtrova me shumë impenjim dhe me shumë lodhje këtë profesion për vite të tëra. Pas demokracisë, u prishën ndërmarrjet mekanike, dolëm pa punë, u detyruam të gjejmë rrugë për të mbijetuar. Biznesi privat më lidhi me përkthimet. Erdhi një moment, që vitet kaluan me shpejtësi, detyrimet nuk arritën asnjëherë të mundeshin, gjithmonë mbeteshin të fuqishme dhe të sfilisnin, pashë veten që po kapja moshën e pensionit edhe bëhej fjalë tani për të vazhduar procesin privat apo për të kaluar në pension. Erdhi një moment që thashë do ta marr pensionin, thashë nuk do ta lë pensionin, se të dyja nuk i lejonte ligji t’i mbaja të dyja, duhet të bëje ilegale njërën. Atëherë mora pensionin. Kjo, gjysmë e imponuar pra, pa marrëdhënie pune dhe gjysmë me dëshirë, se po shikoja shumë lodhje në këtë fushë. Pas kësaj qe kontakti me përkthimet fetare, kundrejt pagesës që më bënin për përkthimet e materialeve të ndryshme. Këto materiale më ngjallën dëshirën dhe iu futa muzikës. Më ndihmoi shumë prania në Kishën Katolike e një kori që mbahet shumë i fortë, Don Korado. Më ndihmoi shumë sepse ishte shumë periodik, shumë i rregullt dhe arrita që të futem në këtë drejtim. Ndonëse gjeta më të avancuar aty, më të vjetër, që kishin 10-20 vjet, m’u desh që të bëj punë autodidakte, të merrem me notat, me pentagramin, të futem në programet e muzikës, muziscore etj që të barazohesha me nivelin e atyre që gjeta. Të gjitha këto më bënë që sot, duke dashur të bëj një hap akoma më të vështirë dhe të eci pak më përpara, të ndodhem këtu.

ZËRISi ishte takimi me profesor Robert Radojan? Ishit e emocionuar gjatë gjithë takimit? U rikthyet pas në kohë?

Hyrije Çekani: Ai është figurë për të gjithë Shqipërinë mund ta them dhe ardhja e tij tek mua ishte shumë surprizë, një befasi shumë e fortë, më ngjalli shumë pozitivitet. Si mundesha unë të më vinte një figurë e tillë, ndonëse ai mund të ketë kaluar rastësisht, nuk ka ardhur kastile për mua dhe ka parë një grua që po këndonte diçka, që atij mund t’i ketë tërhequr vëmendjen pozivitisht ose me të metat e mia, i ka tërhequr veshin dhe është afruar. Për mua ishte shumë e madhe ardhja e tij dhe sigurisht u ndjeva në siklet, që po këndoja përpara tij. Me nivelin tim kundrejt nivelit të tij, ishin shumë larg. Kështu mbaroi ai takim. Unë e kam takuar profesorin edhe më pas dhe kemi përmendur të gjithë të kaluarën, të gjithë hapat dhe për atë ishte rikthimi i një kujtimi shumë të largët dhe iu desh shumë të përqendrohet, për të kujtuar praninë time. Sigurisht nga dhjetëra qindra studentë që ka pasur ai dhe ishte kënaqësi, nuk di si të them.

ZËRIA janë dashamirës shqiptarët ndaj muzikës?

Hyrije Çekani: Nuk mund të flas për brendësinë e tyre, por nga çfarë shoh unë, gjysmën pozitive, më kanë rastisur shpesh njerëz që më japin jashtëzakonisht forca, jo vetëm duke më hedhur vlerësim financiar, që ndonjëherë dhe më befason, për shumën që më japin ndodhem në siklet, por kryesisht kur ata më drejtojnë ca fjalë aq frymëzuese dhe aq të forta, saqë jam mirënjohëse. Ato nuk mund t’i harroj, fjalët pozitive që më drejtojnë, duke më thënë “Kështu vazhdo!”. “Kështu vazhdo” i thuhet zakonisht një të riu, që do t’i japësh kurajo, që ai të vazhdojë rrugën e jetës, në një shkollë apo diku tjetër. Dhe kur më drejtohet pak a shumë një brendi e tillë mua “Kështu vazhdo”, më jep shumë kënaqësi.

ZËRICila është shuma më e madhe që keni fituar në një natë?

Hyrije Çekani: Shuma më e madhe më ka rastisur njëherë, vetëm një person 50, ajo ka qenë nata më e madhe. Sfidat janë shumë të forta.

ZËRI: Kush janë vështirësitë e të performuarit në rrugë? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje gjatë kësaj eksperience?

Hyrije Çekani: Përpara se të dalësh këtu, duhet të llogaritësh dy gjëra. Të komentuarin që ke dalë për të marrë lëmoshë, nuk ta thotë askush, por që ty të shkon në mendje, që çdokush e çon nëpër mendje. Të përballosh këtë është një sfidë jo e vogël. Sfida tjetër është je dalvivo, interpretimin direkt. Sot kam përshtypjen shumë pak përdoret dhe sidomos 2 orë apo 3 orë ‘dalvivo’. Pasiguritë e tua, të gjitha intonimet jo të sakta të tuat apo stonimet apo pozitivet gjatë të kënduarit, të gjitha transmetohen live. Kjo të jep emocion, të jep frikë. Dikush thotë fjalën e mirë, dikush tjetër shikon me një fytyrë të trembur apo të tmerruar, edhe i thua vetes dale kam ndonjë defekt, kam diçka që nuk shkon, që kjo fytyrë nuk qesh, por shikon me shumë…Këto janë sfida, nuk janë të pakta.

Lajme të tjera |  Parashikimi i horoskopit 9 maj, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

ZËRINjë mesazh, për të gjithë shqiptarët dhe ata që i kanë lënë ëndrrat në sirtar dhe kanë ndjekur një profesion tjetër gjatë jetës

Hyrije ÇekaniAtëherë, për mua, ky është mesazhi kryesor që doja të jepja unë. Pavarësisht se dikush është 60 vjeç, pavarësisht se është 70 vjeç, moshë e tretë apo qoftë dhe më shumë se bota i njeh të gjitha rastet. Pikërisht mplakja ose vdekja vjen nga fakti që ti i thua vetes në një moment që s’të përket ty, i përket këtij brezi apo i përket kësaj shkolle. T’i futen të gjitha rrugëve, sado të lehta apo të vështira t’i duken ato rrugë. Kanë për ta përfunduar dhe me sukses, kushdo që t’i hyjë projektit të vet dhe ëndrrës së vet./ZËRI

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us