Kryebashkiaku i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka kthyer përgjigje në rrjetet e tij sociale edhe të ashtuquajturit, Nesti Angoni. Sërish në rrjetet e tij social të “preferuar”, në TikTok, Veliaj i është përgjigjur komentit të Angonit, nën emrit e të cilit është dorëzuar kallëzimi në SPAK për kryebashkiakun. Kallëzim nga i cili, Veliaj përfundoi në pranga dhe i arrestuar. Kështu, komenti nga profili falso i ka kërkuar ndjesë Veliajt. Ndërsa përgjigja e kryebashkiakut, nuk i kursente dozat e ironisë.
Nesti Angoni: Nuk ishte personale. Biznes si zakonisht! Qëndro i fortë miku im.
Erion Veliaj: Emri i rremë, komentet, energjia… Nesti Angoni ngeli spektator me ëndrra protagonisti, i shkreti.
VIDEOJA E VELIAJT:
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash ‘OJF’. Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar.