Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e dështuar ndaj Zamir Kalemit një natë më parë në zonën e Selitës. Raportohet se autorët e kanë mbajtur në vëzhgim “shënjestrën” dhe kanë pritur momentin për të hapur zjarr. Ata lëviznin me një makinë tip “Nissan” dhe në momentin që kanë hapur zjarr kanë qenë duke lëvizur paralel me Kalemin, i cili për ti shpëtuar plumbave, ka devijuar rrugën dhe është përplasur me barrierat anësore.
Në vendin e ngjarjes Policia ka sekuestruar 15 gëzhoja. Makina e autorëve, e cila u gjet e djegur në Bërzhitë është dërguar për ekzaminim me shpresën për të gjetur ndonjë provë nga autorët. Zamir Kalemi ndodhet në sopital jashtë rrezikut për jetën. Fatmirësisht 35-vjeçari mori vetëm një plumb në këmbë.
Policia pavarësisht se rrethoi zonën nuk arriti të bjerë në gjurmët e tyre, ndërsa atentatorët mbeten ende mister, po ashtu dhe urdhëruesi i atentatit që zgjoi dhe njëherë “frikën” për nisjen e një vale të re hakmarrjeje.
Zamir Kalemi është një i afërm i Aleksandër Sadikajt, i cili dyshohet se është ekzekutuar me urdhër të biznesmenit Edmond Papa, gjithashtu i ekzekutuar. Për vrasjen e Papës u arrestua miku i Kalemit, Albano Velo, ndërsa u shpall në kërkim Andrea Bode.
35-vjeçari është ortak me të vëllain Andrea Kalemi, në firmën “Shiza Kalemi” në qytetin e Memaliajt, pranë Tepelenës, për shitje me pakicë dhe shumicë produktesh, restorante, pika servisi, parkingje, lavazhe, hotele, etj