Prej 21 tetorit, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndodhet në qeli, ndërsa po përballet me akuzat e SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por së fundmi avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, në një lidhje direkte për A2 CNN, deklaroi se kreu i Partisë së Lirisë do të lirohet shumë shpejt.
Ai tha se më 10 Qershor bëhet një vit nga koha kur Meta është regjistruar si person nën hetim dhe sipas tij është ezauruar çdo afat procedurial. Avokati arsyeton se Prokuroria e Posaçme nuk ka më çfarë provash të tjera të mbledhë për hetimin e Metës dhe si pasojë brenda verës kreu i PL do të lirohet.
“Besoj se shumë shpejt do të lirohet. Është ezauruar çdo veprim dhe kuptohet qartë që edhe SPAK-u është sforcuar shumë. Në datën 10 të këtij muaji bëhet 1 vit që zoti Meta është regjistruar si person nën hetim, kështu që besoj se është ezauruar çdo afat edhe procedurial. SPAK-u nuk ka çfarë provash të tjerë të mbledhë për zotin Meta. Besoj se brenda verës zoti Meta do të jetë person i lirë. Por, mos të harrojmë që çështjet politike janë shumë të vështira të çmontohen juridikisht”,tha Cakrani në A2 CNN.