Banka e Shqipërisë kufizon vlerën e kësteve të kredisë për qytetarët shqiptarë që duan të blejnë një banesë. Lajmin e dha guverantori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Në një deklaratë për shtyp, guvernatori tha se u vendos një tavan për shumën e kredisë që mund të marrin qytetarët për të blerë një shtëpi.
“Morëm disa masa lidhur me kreditimin në tregun e pasurive të patundëshme, kryesisht për individët. Në këtë kontekst, vendosëm një tavan lidhur me huanë në raport me vlerën e banesës, dhe në raport me vlerës së kredisë me pagën e huamarrësit. Më konkretisht këto tavane janë maksimumi i huasë për monedhën lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj vlera e kredisë do të jetë 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë lidhur me monedhën në valutë të huaj për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit. Kësti ndaj të ardhurave si raport do të jetë në nivelin 40% për monedhën lekë dhe 35% për monedhën në valutë të huaj. Kjo është për shtëpinë e parë. Për lekun do të jetë 35% raporti i këtit me të ardhurat, ndërsa 30% për shtëpinë e tyre. Pra, Banka e Shqipërisë ka vënë standardizim,”-tha në fjalën e tij Sejko.
Në shkurt të këtij viti u konstatua se kredia për shtëpi u rrit për të 5-tin vit radhazi. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregonin se kredia për banesa arriti në 54.9 miliardë lekë në 2024, një rritje me 13% krahasuar me vitin 2023. Këtë tendencë agjentët e pasurive të paluajtshme e lidhin me normat e ulëta të interesit, por dhe rritjen e pagave, ku qytetarët arrijnë të plotësojnë edhe këtë kriter të bankave për të përfituar kredinë.