Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka treguar arsyen se pse mungoi në protestën e thirrur nga Sali Berisha të hënën. Sipas tij, ka qenë në Kryesinë e Kuvendit duke ndjekur mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve. Bardhi po ashtu hodhi poshtë pretendimet se grupi i PD është i ndarë, ndërsa la të hapur çdo skenar për protestën e nesërme përballë Parlamentit. Deklaratat i bëri i ftuar në “News 24”.
Gazment Bardhi: Grupi parlamentar mbështet çdo protestë kundër regjimit të Edi Ramës. Nuk kam qenë në protestë. Kam qenë sigurisht në kryesinë e Kuvendit duke ndjekur mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve. Unë dhe zoti Berisha mund të ndajmë mendime të ndryshme për shumë çështje. Kjo nuk është pas përçarje dhe as konflikt. Jemi bashkë kundër regjimit të Edi Ramës dhe do ta shtrimë bashkimin e gjithë spektrit të opozitës edhe në segmente të tjera jashtë jetës parlamentare. Secili brenda grupit parlamentar ka vendosmërinë për t’u përballur me regjimin e Edi Ramës. Nuk e kemi ndërtuar akoma skenarin. Atë ditë ka një seancë plenare dhe ne duhet të jemi aty sigurisht nëse na lejojnë. Ne do të kemi pjesën tonë brenda sallës së seancave plenare. Nuk kemi diskutuar në grupin parlamentar. Besoj do të kemi mundësi ta diskutojmë në mbledhjen e grupit. Çfarëdo lloj gjëje që të vendosë Gjykata, çështja e Partisë Demokratike, dhe bashkimi i Partisë Demokratike mbetet çështje vullneti dhe mbi të gjitha çështje e anëtarëve të Partisë Demokratike. Zgjidhja e konfliktit nuk zgjidhet me vendime gjykatash, do të zgjidhet me vullnet. Deri tani i ka munguar kolegut Basha ky vullnet.
Partia Demokratike ka thirrur ditën e nesërme (21 dhjetor) protestë kombëtare para Kuvendit për të kundërshtuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që kërkon masë shtënguese ndaj tij, “Arrest shtëpie” ose “Arrest me burg”, për shkak të hetimeve që lidhen me dosjën “Partizani”.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv’. Në privatizimin e klubit sportiv “Partizani”, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, e po ashtu edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi. GJKKO vendosi masën e sigurisë ‘detyrim parqitje’ për ish-kryeministrin Berisha, teksa ky i fundit ka refuzuar të paraqitet pranë OPGJ. Pas kësaj, SPAK ka bërë kërkesë në Kuvend për shtrëngim të masës së sigurisë për Berishën. Këshilli i Mandateve vendosi t’i hapë rrugë SPAK-ut të për shtrëngimin e masës së sigurisë. Opozita deklaroi se SPAK nuk ka sjellë prova për Berishën në Këshillin e Mandateve, duke paralajmëruar protesta në ditët në vijim.