Nga Kirsty Hughes “Social Europe”
Në samitin e muajit të kaluar, Bashkimi Evropian eci përpara me vendosmëri për zgjerimin e tij të mëtejshëm. Këshilli Evropian ra dakord të hapte bisedimet e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe bëri vende kandidate Gjeorgjinë dhe Bosnje-Hercegovinën, megjithëse me më shumë kushtëzime për këtë të fundit.
Por a do të ruhet ky vrull? Përpara janë shumë sfida: një grup i larmishëm shtetesh anëtare të mundshme dhe potenciale, po ngre në mënyrë të pashmangshme një sërë pyetjesh në lidhje me përgatitjen e tyre efektive dhe kapacitetin e unionit për ri-përshtatje ndaj një vale të re zgjerimi.
Përpjekja politike për të ecur përpara me zgjerimin ka ardhur me të drejtë nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Por nuk do të jetë aspak i lehtë negocimi me një vend që për një periudhë të papërcaktuar do të mbetet në luftë, dhe pastaj do të përballet me rrugën e vështirë të rindërtimit.
Dhe të mos harrojmë se përveç Sllovenisë dhe Kroacisë, BE-ja ka qenë për 2 dekada nguruese për të pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër nuk është i favorshëm as mjedisi më i gjerë. Krahasuar me zgjerimin e madh ‘Big Bang’ të vitit 2004, i përgatitur në vitet 1990, situata gjeopolitike është tejet shqetësuese, nga Rusia në Lindjen e Mesme deri në Kinë.
Në SHBA po afrohen zgjedhjet presidenciale. Ndërkohë ekziston frika se e djathta ekstreme do të rrisë përfaqësimin e saj në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në muajin qershor. Dhe sfida që buron nga ndryshimi i klimës kërkon veprime më urgjente dhe efektive, sepse viti që lamë pas u shpall si më i nxehti në botë që kur kanë nisur regjistrimet.Gjithsesi ka ende arsye të jemi optimistë për perspektivat e zgjerimit. Ndërsa zgjerimi i 2004-ës duket madhështor, u deshën 15 vjet nga rënia e murit të Berlinit. Dhe u pasuan nga një sërë sfidash jo të vogla, dhe miratimin e një morie traktatesh të reja të BE-së (përfshirë Traktatin e Lisbonës në vitin 2007).
Në atë kohë, disa bënë thirrje për një zgjerim më të shpejtë apo për një lloj anëtarësimi ‘politik’ përpara se vendet kandidate të përmbushnin kriteret e BE-së. Ose shqyrtimin e mundësisë së zgjerimit të mëtejshëm drejt Lindjes, duke përfshirë Ukrainën. Megjithatë nuk u hodh dot asnjë hap i guximshëm në atë drejtim. Ishte një proces sa politik, aq edhe teknik, por që në fund nuk mund të mos zhdukej së bashku me vrullin që solli rënia e bllokut sovjetik.
Duke pasur parasysh sfidat që mund të lindin nga anëtarësimi deri i 9 shteteve të tjera, shumë zyrtarë dhe liderë sot shprehin shqetësim mbi buxhetin e BE-së, mënyrën e vendimmarrjes, politikat bujqësore, kthimin prapa të sundimit të ligjit dhe gjendjen e demokracisë në shumë prej vendeve kandidate.
Që të gjitha këto janë çështje serioze, të cilat duhet të trajtohen. Por një këndvështrim më i gjerë, sugjeron se BE-ja ka pasur një histori pozitive me serinë e saj të zgjerimeve. Që nga zgjerimi i parë në 1973, 6 shtetet anëtare fillestare janë bërë sot 27 (pas largimit të Britanisë së Madhe).
Nëse do të hyjnë të gjithë kandidatët aktualë dhe potencialë, përveç Turqisë, BE-ja do të zgjerohej me një të tretën. Me kalimin e kohës, Unioni ka treguar në mënyrë të përsëritur kapacitetin e tij përthithës si dhe tërheqjen e tij demokratike, politike dhe ekonomike.
Qeveria jo-demokratike e Hungarisë dhe sjellja e ashpër e kryeministrit të saj Viktor Orbán, përfshirë kërcënimet për vendosjen e vetos ndaj zgjerimit, nuk janë të pranueshme. Por ato nuk duhet ta njollosin të gjithë procesin.
Anëtarësimi në BE i forcoi demokracitë e reja në Greqi, Spanjë dhe Portugali, dhe vite më vonë bëri të njëjtën gjë në shumicën e shteteve të reja anëtare nga Evropa Qendrore dhe Lindore. BE-ja rregulloi politikat dhe vendimmarrjen e saj, duke përfshirë zgjerimin e votimeve me shumicë të kualifikuar.
Dhe vazhdoi të merrte vendime, nga ato mbi monedhën e përbashkët deri tek ndryshimet klimatike, dhe së fundmi tek Inteligjenca Artificiale. Leksioni kryesor nga zgjerimet e ndryshme që nga viti 1989 – sukseset e 1995-ës dhe 2004-ës, stanjacioni relativ i anëtarësimit, me përjashtim të Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë, në dy dekadat që pasuan – mbetet se është thelbësor angazhimi politik.
Kjo nuk do të thotë të shmangen debatet. Në vitet 1990 pati shumë të tilla. Por udhëheqësit e BE-së duhet t’i përmbahen qëllimit të zgjerimit me një lidership dhe dinamikë të qartë. Ndonëse Komisioni Evropian vazhdoi me procesin e anëtarësimit në të gjithë vendet kandidate gjatë 2 dekadave të fundit, dhe Parlamenti Evropian kontribuoi si politikisht po ashtu edhe teknikisht, procesi ngeci. Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia, Këshilli Evropian ka gjetur një vendosmëri të përtërirë politike – si në procesin e anëtarësimit po ashtu edhe në mbështetjen ushtarake të Ukrainës.
Parlamenti Evropian mund dhe duhet të luajë një rol kyç që zgjerimi të ecë përpara, duke garantuar qëndrueshmërinë e dinamizmit politik duke vazhduar të zgjidhë sfidat teknike për kandidatët dhe për unionin. Sigurisht në këtë proces ka shumë sfida politike dhe teknike. Ndërsa Orbán hoqi dorë nga kërcënimi i tij për të vënë veton ndaj vendimit të samitit për hapjen e bisedimeve të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë (duke u larguar nga salla), ai bllokoi financimin e mëtejshëm të BE-së për Ukrainën. Kjo çështje do të kthehet në axhendën e Këshillit Evropian më 1 shkurt, ku pritet që Orbán të tërhiqet sërish ose 26 vendet e tjera do të ecin përpara edhe pa të në miratimin e ndihmës.
Në mars, BE duhet të arrijë konsensus mbi kuadrin e negociatave për Ukrainën dhe Moldavinë, në një votim unanim. Pas samitit të dhjetorit, Orbán kërcënoi se Hungaria mund të vërë veton ndaj 75 vendimeve të nevojshme gjatë negociatave. Por politika e BE-së funksionon përmes kompromisit dhe konsensusit, duke gjetur një rrugëdalje.
Shtetet e tjera anëtare nuk do të durojnë edhe shumë nëse Orbán e ndryshon vazhdimisht procesin, veçanërisht duke pasur parasysh mangësitë e Hungarisë në sundimin e ligjit. Sjellja e Orban ka acaruar shumë vende dhe një ditë ai do të detyrohet të paguajë kostot. Gjithsesi, politika e zgjerimit s’ka të bëjë vetëm me një shtet anëtar. Të gjitha shtetet anëtare do të analizojnë se si një union me shumë anëtarë, ndryshime në vendimmarrje dhe politika, do të ndikojë në pozitën e tyre, kontributet dhe të ardhurat buxhetore, si dhe në fuqinë e tyre relative në gjirin e BE-së.
Asnjëra nga këto nuk është e lehtë, por jo gjithçka duhet të bëhet menjëherë. Qoftë për lëvizjen e lirë, Politikën e Përbashkët Bujqësore apo fusha të tjera, ka hapësirë për të përdorur periudha të zgjatura tranzicioni nëse kjo gjë do të jetë e nevojshme.
Përballë ndryshimeve klimatike, reforma e madhe e politikës bujqësore është në çdo rast e nevojshme dhe tashmë ka nisur pjesërisht. Aktualisht BE-ja ka pranuar mbi 4 milionë refugjatë ukrainas. Dhe unioni ka sfidat e veta demografike dhe të ofertës së punës, që mund të adresohen nga zgjerimi, për sa kohë që të arrijnë të ruhet rregulla të barabarta në përfitimet sociale. Metodologjia e rinovuar e zgjerimit të BE-së që nga viti 2020, e forcon mënyrën se si Unioni mund të përballet me prapambetjen, veçanërisht në sundimin e ligjit midis vendeve kandidate. Po ashtu, Brukseli duhet të merret më me vendosmëri me sfida të tilla nga ana e shteteve anëtare ekzistuese.
Nëse Rusia mban ende të pushtuar disa zona të Ukrainës në kohën e anëtarësimit të saj, atëherë Qipro Veriore – në BE, por me pa ligjet e saj – tregon një rrugë të mundshme që mund të ndiqet. Ndërkohë, disa nga sfidat buxhetore të ngritura nga sjellja e vendeve anëtare të reja dhe më të varfra mund të lehtësohen në rastin e Ukrainës, duke qenë se do të ketë nevojë për shumë fonde për rindërtimin.
Idetë e integrimit të pjesshëm sipas fushës së politikave për kandidatët gjatë procesit të anëtarësimit, mund të jenë ende të dobishme për ruajtjen e dinamizmit, për sa kohë që kjo nuk shndërrohet në një dredhi për ta ngadalësuar procesin. Brenda BE-së, një Evropë me ‘shumë shpejtësi’ është propozuar në forma të ndryshme për më shumë se tre dekada.
Por kur flitet për të, shtetet anëtare nuk duan të lihen jashtë. Pavarësisht sfidave, strategjia e re e zgjerimit të BE-së dhe energjia politike e lidhur është e mirëpritur. Çuarja përpara e procesit në vitet në vijim do të ndihmojë në forcimin dhe dinamizmin e bashkimit, dhe jo e kundërta.
Parlamenti Evropian ka një rol të rëndësishëm progresiv për të luajtur këtu, për të siguruar që zgjerimi aktual të ecë përpara pa ngecje, duke ruajtur një mbështetje të qartë politike dhe që politikat e ndryshme dhe reformat teknike që do të jenë jetike për kandidatët dhe vetë BE-në, të shqyrtohen plotësisht dhe në mënyrën e duhur.
Shënim:Kirsty Hughes, anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Edinburgut, bashkëpunëtore e Qendrës për Studimet e Politikave Evropiane