Plani i Donald Trump që SHBA të “pushtojnë” Gazën nuk do të ndodhë. Që kjo gjë të konsiderohet e mundur, kërkon bashkëpunimin e shteteve arabe që e kanë refuzuar këtë ide. Me një “jo” të madhe janë përgjiur Jordania, Egjipti dhe Arabia Saudite.
Aleatët perëndimorë të SHBA-së dhe Izraelit janë gjithashtu kundër kësaj ideje. Disa – ndoshta shumë – palestinezë në Gaza mund të tundohen dhe do të largohen nëse do të kishin mundësi. Por edhe nëse një milion persona zgjedhin që të largohen, mbeten edhe 1.2 milionë të tjerë. Në këto kushte, Shtetet e Bashkuara që janë vetëshpallur pronarët e rinj të “Rivierës së Lindjes së Mesme” do të duhet që të përdorin forcën për t’i larguar. Pas ndërhyrjes katastrofike të Amerikës në Irak në 2003, një tjetër luftë do të ishte thellësisht e papëlqyeshme. Do të ishte fundi i çdo shprese të vazhdueshme se një zgjidhje me dy shtete ishte e mundur.
Plani i Trump do të shkelte gjithashtu ligjin ndërkombëtar. Ambiciet territoriale të Rusisë në Ukrainë dhe të Kinës në Tajvan do të legjitimoheshin.
Trump ka hedhur një ide dhe edhe nëse nuk realizohet, ai shtyp butona shumë të mëdhenj në mendjet e palestinezëve dhe izraelitëve. Kjo ide do të ushqejë planet dhe ëndrrat e ekstremistëve hebrenj ultra-nacionalistë, të cilët besojnë se e gjithë toka midis Mesdheut dhe lumit Jordan, dhe ndoshta më gjerë, është një pronë e hebrenjve, e cila u është dhënë nga Zoti. Udhëheqësit e tyre janë pjesë e qeverisë së Netanyahut që po e mbajnë ende kryeministrin në pushtet dhe sigurisht që janë të kënaqur me këto ide. Ata duan që lufta në Gaza të rifillojë me objektivin për të larguar palestinezët dhe për t’i zëvendësuar ata me hebrenj.
Ministri i financave Bezalel Smotrich tha se Trump kishte dhënë përgjigjen për të ardhmen e Gazës.
“Jushdo që kreu masakrën më të tmerrshme në tokën tonë do ta gjejë veten duke humbur tokën e tij përgjithmonë. Tani ne do të veprojmë për të varrosur përfundimisht, me ndihmën e Zotit, idenë e rrezikshme të një shteti palestinez,”-tha ministri.
Udhëheqësit e opozitës centriste në Izrael kanë qenë më pak të paqartë, ndoshta nga frika e telasheve, por i kanë ofruar një “mirëseardhje të sjellshme” planit të Trump. Kundër nuk kanë dalë! Por, Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura palestineze mund të ndjejnë nevojën t’i përgjigjen Trumpit me një lloj shfaqjeje force kundër Izraelit.
Për palestinezët, konflikti me Izraelin nxitet nga shpronësimi dhe kujtimi i asaj që ata e quajnë al-Nakba, “katastrofa“. Ky ishte eksodi i palestinezëve pasi Izraeli fitoi luftën për pavarësi në 1948. Më shumë se 700,000 palestinezë ose u larguan ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre nga forcat izraelite. Izraeli miratoi ligje që ende i përdor për të konfiskuar pronat e tyre.
Tani është ngjallur frika se kjo mund të ndodhë përsëri.
Cili është motivimi i Trump?
Vetëm për shkak se Trump thotë diçka, kjo nuk e bën atë të vërtetë apo të sigurtë. Deklaratat e tij shpesh janë më shumë si nisje negociatash sesa shprehje e politikës së vendosur të Shteteve të Bashkuara. Ndoshta Trump po përhap një farë konfuzioni kur në mendje ka një plan tjetër. Thuhet se ai dëshiron të marrë çmimin Nobel për paqe.
Ndërsa bota po përtypte njoftimin e tij për Gazën, ai postoi në platformën e tij “Truth Social” dëshirën e tij për një “marrëveshje paqeje bërthamore” me Iranin. Për shumë vite Netanyahu ka kërkuar që SHBA, me ndihmën e Izraelit, të shkatërrojë armët bërthamore të Iranit, pra një marrëveshje s’ka qenë kurrë pjesë e planeve. Nëse Trump donte t’i jepte diçka të djathtës izraelite për t’i mbajtur ata të lumtur,ai ia ka dalë. Por ai gjithashtu ka krijuar pasiguri dhe ka injektuar më shumë paqëndrueshmëri në rajonin më të trazuar të botës.