Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Richard Attias, organizatorin e mirënjohur të FII (Iniciativa e Investimeve të Ardhshme), platforma globale që pas Majemit erdhi për herë të parë në Europë, në Tiranë.
I pyetur nëse i pëlqen krahasimi i Shqipërisë me një “Zvicër të re”, Rama u shpreh se vendin e sheh më shumë si një “Itali të re”, duke shtuar se Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti, por i mallkuar nga historia.
Edi Rama: Para së gjithash, ajo që dua të them është se ajo që ndodhi në Tiranë, ishte e paimagjinueshme deri jo shumë kohë më parë dhe dua shumë t’ju falënderoj juve dhe institucionin tuaj për këtë mundësi të jashtëzakonshme. U habita shumë kur dëgjova nga z. Ramayan se kjo është hera e parë për ju në Europë. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për t’iu qasur çështjes tejet thelbësore të bashkimit të forcave midis sektorit publik e privat, dhe tamam në këto lloj vendtakimesh ku njerëzit, të cilët vijnë nga terreni ku ndodh gjithçka, mund të ndërveprojnë, të ngrenë pyetje, të marrin përgjigje, madje edhe më shumë se kaq, të vihen në kontakt me njëri-tjetrin.
Ndër të tjera foli edhe për fitoren e mandatit të katërt dhe stratëgjinë e fushatës që ai ndoqi.
Richard Attias: Z. Kryeministër, pak ditë më parë, ju u rizgjodhët për mandatin e katërt me radhë, që është historike për Shqipërinë. Cilat do jenë tri përparësitë kryesore tuajat për këtë mandat?
Edi Rama: Së pari, më duhet të ndaj me ju që jam zënë paksa në bela me kolegët socialistë, sepse kur dikush më pyeti, “si është e mundur që je socialist, ke fituar katër mandate? I thashë: “Dëgjo, nuk di ç’të të them. Ndoshta fitoj, sepse nuk jam një socialist i mirë.” Tani që flasim, tri gjërat kryesore për ne janë BE-ja, BE-ja, BE-ja. Dritarja e mundësisë është hapur. Është shumë e trishtë që na duhej Putini, që kjo dritare mundësie të hapej, sepse ishte agresioni i tij kundër Ukrainës që i zgjoi të gjithë nga gjumi dhe e ktheu në veprim mesazhin përherë shumë të qartë, por vetëm me fjalë, se një ditë, Europa do të jetë e bashkuar. Unë shpresoj që edhe zgjedhja e Donald Trump-it do ta shtyjë Europën të kthejë në veprime gjërat e duhura. Nëse ne ia dalim, atëherë katër mandatet do t’ia kenë vlejtur.
Richard Attias: Çfarë roli po luajnë gratë në modelin e ri të Shqipërisë.
Edi Rama: Kur nisëm fushatën, doja që ajo të hapej me gratë, kështu që gjysma e pare e fushatës ishte takime me gratë. E filluam më parë me gratë dhe vajzat në vijën e parë, në partinë tonë dhe pastaj u shtrimë përtej. Një ditë – e dini, ndonjëherë kur bën fushatë mund të thuash gjëra që nuk janë të paqortueshme dhe që mund të ndezin diskutime – pra, një ditë thashë, shikoni, po mobilizojmë gratë, sepse 56 për qind e grave dhe vajzave në Shqipëri votojnë për ne. Kjo është një forcë e madhe dhe, nëse kemi gratë, kemi votuesit për herë të parë, atëherë na duhen vetëm gjysma e burrave, sepse gjysma tjetër janë çyrykë. Kjo ndezi një debat të madh. “Si mund të thotë ai që gjysma tjetër janë çyryk?” Meqë, prej natyre, jam kokëfortë, ngula këmbë dhe iu thashë: “Dëgjoni, nuk ka lidhje se jeni çyryk se nuk votoni për mua, por se ai që nuk kupton që, në këtë moment, na duhet të bashkohemi për të hyrë në BE, çka është për të gjithë ne, socialistë a demokratë, është çyryk. Dhe, në fund, kjo solli një numër edhe më të madh grash që na votuan dhe burrat, po ashtu, ishin mirë, arritëm ca më shumë se gjysmën e tyre dhe fituam një shumicë dërrmuese. Pastaj, ua shpjegova se çdo burrë i zgjuar e kupton që, po, gratë janë forca shtytëse. Kemi punuar shumë për këtë, sepse në këtë vend, kemi kaluar dy faza. Njëra, ishte fazë e gjatë disashekullore, gjatë së cilës gratë trajtoheshin… Kanuni i famshëm, ka anën e shndritshme të mikpritjes, ka edhe anën mjaft të errët për gratë, e konsideron gruan si një prej kafshëve të shtëpisë, bagëti. Kur erdhi komunizmi, fliste për emancipim, por ajo çfarë bëri ishte që i detyroi gratë të dilnin nga shtëpia, të punonin. Por komunizmi ishte kundër anës femërore, kundër së bukurës, e donte çdo gjë njësoj dhe gratë paraqiteshin si burra, thuhej se ishin të forta si burrat. Edhe në pikturat e fotot e propagandës, nuk shihje kurrë një grua të bukur. Pastaj, kur erdhi liria, patëm një valë të parë të Miss Albania, Miss Tirana, Miss Shkolla, madje edhe Miss Kopshti, sepse ishte një lloj reaksioni për të nxjerrë në pah anën femërore. Megjithatë, as kjo nuk ishte mënyra e duhur. Kur mora kryesimin e Partisë Socialiste, nisëm të vendosnim kuota, të ftonim gratë dhe vajzat të merrnin pjesë dhe kështu ndryshuam gjithçka dhe ia vlen, ia vlen shumë.
Richard Attias: Pak muaj më parë, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ju thatë se BE-ja është më shumë “E” sesa “B”, është më shumë Europian sesa Bashkim. Si mendon se mund ta zgjidhim këtë problem, për të cilin shumë njerëz bien dakord me ju? Pra, si mund ta bëjmë BE-në të bashkuar vërtet?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, një nga problemet që shoh te BE-ja vështirësia e daljes me një vendim, pasi ka shumë mjekë për një pacient, që hahen me njëri-tjetrin për të gjetur diagnozën, hahen se cili është mjekimi i duhur dhe, në një farë mënyre, BE-ja po vuan nga ky proces demokratik, por, nga ana tjetër, i duhet padyshim ta ruajë demokracinë. Sidoqoftë, thelbi i kësaj është që BE-ja duhet të mendojë se mënyra e vetme për t’iu bërë ballë fuqive që po dalin në pah dhe këtij rendi të ri që po lind është të bëjë të pamendueshmen për të thyer fuqishëm paragjykimet që janë krijuar. Kur organizuam KPE-në, iu thashë të gjithëve që e kemi dekoruar këtë shtëpi me vizatimet e fëmijëve, por shoh shumë ngjashmëri mes ëndrrave të fëmijëve dhe ëndrrave të etërve themelues të Europës, sepse as njëri e as tjetri nuk janë marrë peng nga mitet e së shkuarës. Kësisoj, Europës i duhet të shkojë përtej së shkuarës së vet, e kam fjalën për të shkuarën e afërt dhe nuk duhet të humbasë bindjen dhe besimin te vetja si kontinent i paqes. Pra, është mirë të riarmatosesh, është mirë të përgatitesh për të mbrojtur veten, por nuk duhet të harrojmë se, në Europë, nuk është vetëm territori fizik që ia vlen të mbrohet, por edhe shpirti i Europës që është praktikisht shpirti i botës. Nëse e humbasim këtë shpirt, mund të kemi edhe ushtrinë më të fuqishme, po çfarë do mbrojmë?