Nëndrejtoresha e shkollës “Harry Fultz”, Brikena Baxhaku është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Baxhaku është thërritur në SPAK për t’u pyetur lidhur me hetimet që kanë nisur për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili është nën hetim për falsikim të diplomës së gjimnazit.
Pak javë më parë edhe vetë Këlliçi u mor në pyetje për kallëzimin e bërë ndaj tij nga avokati Idajet Beqiri. Sipas Beqirit, Këlliçi duhet të akuzohet për dy vepra penale: mospërfundimi i arsimit të mesëm në institucionin “Harry Fultz” dhe falsifikim dokumentesh për t’u regjistruar studimet universitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se Këlliçi pretendon se e ka përfunduar shkollimin në arsimin e mesëm, SPAK ka nisur hetimet, ndërsa çështja po hetohet nga prokurori Elvin Gogaj.
Po ashtu, mësohet se Këlliçi është nën hetim edhe për shkak se akuzohet se nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë të partneres së tij, Ana Shkreli. Por vetë Këlliçi tha se nuk bashkëjeton me partneren e tij dhe se këtë e ka deklaruar publikisht.
Por çfarë dimë deri më tani lidhur me çështjen e diplomës së Këlliçit?
Çështja e shkollimit të tij ishte një diskutim i gjatë që u zhvillua gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 2023, kur demokrati garonte përballë Erion Veliaj për Bashkinë e Tiranës. Asokohe, shkolla “Harry Fults” i ishte përgjigjur interesimit të Plarent Ndrecës, i cili mbante postin e përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste. Në përgjigje shkruhej se Belind Këlliçi, në përfundim të klasës së 12-të, në përgjigje të kërkesës së tij për studime të mëtejshme në SHBA, u pajis nga shkolla me disa dokumenta të cilat listohen në përgjigje.
“Kjo praktikë është ndjekur në shkollën tonë nga shumë nxënës të dalluar të periudhës 1997-2005, të cilët pas 12 viteve shkollim në Shqipëri kanë ndjekur studimet e mëtejshme në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën Çeke, për motivin e pajtueshmërisë kurrikulare dhe të krediteve përkatëse,”-sqarohet në përgjigjen e shkollës Harry Fultz. Sipas asaj që thuhej në media, arsyeja e regjistrimit të Këlliçit në Coppin University në vitin 2005, ishte sepse vëllai i tij punonte në zyrën e pranimeve të studentëve. Por në përgjigje të pyetjeve të bëra nga “Faktoje”, Universiteti Coppin në Maryland informoi se ky universitet edhe për rastin e Këlliçit, ka kryer të gjitha procedurat e zakonshme për regjistrimin e studentëve ‘të huaj’.
Letra e shkollës Harry Fulltz ka sqaruar se e ka pajisur Belind Këlliçin me raportin shkollor me rezultatet përkatëse për katër vite, skeletin e kurikulës për vitet 2001-2005 dhe programet mësimore të detajuara për çdo lëndë si dhe vërtetimin për zhvillimin e programit mësimor në gjuhën angleze. Po ashtu, nga ana tjetër, edhe Universiteti Coppin zbuloi detaje nga studimet që Këlliçi ka përfunduar në këtë universitet.