Berisha, akuza DHL-së dhe Postës Shqiptare: Patronazhisti i Taulant Ballës merr në dorë votat e Diasporës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi drejtuesin e PS për Diasporën, Taulant Balla, se ka manipuluar procesin zgjedhor të 11 majit, duke futur njerëzit e tij brenda sistemit të dërgimit të votave nga jashtë.

Duke publikuar fotot e një punonjësi postar, të identifikuar si Sinan Patozi, një herë teksa përpunon zarfet e votave të Diasporës dhe në një foto tjetër teksa pozon krah Ballës, Berisha tha se ky është vetëm një episod i mashtrimit.

Denoncimin fillimisht e bënë një ditë më parë drejtuesja e PD për Diasporën, Jozefina Topalli dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.

“Sot këtu kemi sjellë disa foto dhe video, që faktojnë se patronazhisti është personi që merr në dorë votën e diasporës. I cili drejtohet direkt nga famëziu Taulant Begojaris. Ja ku e keni. Krenar njëri me tjetrin për krimin që kryejnë. Ja ku është. Votat në duart e partisë së krimit. Ky është vetëm një episod, ose një dëshmi, një fakt. Ekzistojnë të tjera në të cilat votat e diasporës u shtetëzuan dhe u manipuluan në shkallën që deshi, partia e krimit.  Në shkelje të plotë të kontratës, dhe sigurisht ka vetëm një konkluzion: këto zgjedhje nuk mund të njihen kurrë. Detyra themelore e çdo demokrati dhe demokrateje është, rikthimi i të drejtës së votës së lirë, largimi i Edi Ramës nga pushteti, qeveria teknike dhe vota e lirë”, tha Berisha në konferencën e përditshme për mediat.

Berisha akuzoi Postën Shqiptare se është përfshirë në këtë proces, duke ndikuar në favor të socialistëve.

“Së pari ju e shikoni njeriun e Taulant Ballës, jo me një votues, por me punonjës të DHL-së. Ju e patë personin, edhe në takim me Taulant Ballën edhe në foto dhe kjo dëshmon qartë për duart e zeza të Partisë së krimit brenda DHL-së. Këtu jemi brenda DHL-së, punonjës, jemi brenda. Tani, cila pikë e kontratës është shkelur, është shkelur pika kryesore e kontratës; nuk mund të kishte subkontraktor. Dhe subkontraktimi u shkel pikërisht për tu nënkontraktuar kompanitë që punuan ngushtë me PS-në, përfshirë Postën Shqiptare që shtriu duart në këtë proces.  Pra shkeljet janë flagrante. Ka shumë shkelje të tjera. Ky që e shihni ju me këto, i fut në një zyrë tjetër dhe i mbush vetë. Shihe. Kështu që kjo tregon se nuk ishte proces, por ishte një gjë që u bë në zyrat e partisë, nga njerëz të partisë. Të paguar janë, një pjesë janë të paguar. Kanë marrë pjesë dhe ish-zyrtarë dhe zyrtarë të ambasadave. Asnjë nga këto të mos ishte, mjafton implikimi i postës shqiptare dhe ikën ai proces. Kurrë ne nuk do të ftonim të votonim me një postë që kalon nga Posta Shqiptare. Ajo dihet se kush kalon në postën shqiptare”.

Lajme të tjera |  Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë nga Kosova

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us