Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mundohet të bllokojë punën e SPAK-ut, duke i dhënë urdhër ministrive të mos i dorëzojnë asnjë dokument prokurorëve.
Nga dritarja e banesës ku ndodhet në arrest shtëpie, Berisha gjithashtu pretendoi se Rama ka bllokuar serverat, të cilat sipas tij i kërkon Interpoli.
“T’i vërsulemi, ta arrestojmë”, i tha për Ramën, Berisha mbështetësve që ishin mbledhur poshtë banesës së tij.
“Të dashur miq, këto ditë ka pasur zhvillime të tjera të jashtëzakonshme.
Këto ditë drejtësia e SHBA kryqëzoi, gozhdoi, akuzoi si kriminel që ka korruptuar njeriun kryesor të kundërzbulimit të SHBA, Edi Ramën.
Edi Rama është sot një kufomë e pakallur.
T’i vërsulemi, ta arrestojmë, ta nisim drejt McGonigalit.
Të dashur miq, po përpëlitet se si e si ku mund të fusë kokën.
Prej disa ditësh ka bllokuar serverat, kompjuterat, të cilat ia kërkon Interpoli, në të cilën gjendet të gjithë dokumentet e krimit të tij ndërkombëtar.
Për të maskuar veprimin e tij, ka urdhëruar ministritë, asnjë dokument Skapit të partisë.
Por ja ku po ta them Edi Rama se i ke kohërat e numëruara. Jep dorëheqjen se kudo që të shkosh, fatin e baballarëve të tu do kesh.
Nuk të shpëton dot Altin Dumani, përkundrazi do ndani fatin bashkërisht.
Të njëjtin fat me asnjë makinacion, me asnjë pretekst nuk të mbron më. Shqiptarët, çdo minutë e kanë për turp të kenë një kryeministër si ti”, deklaroi ndër të tjera Berisha.