Berisha fton në debat Ramën: Lëri monologjet me zhaba e hardhucë dhe hajde përballu me mua

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka ftuar sërish në debat kryeministrin Edi Ramën.

Në një bashkëbisedim me banorët e kryeqytetit, kreu i Partisë Demokratike e ka akuzuar kryeministrin se ka frikë nga vetja e tij dhe i ka bërë thirrje për të lënë pas monologjet dhe për të paraqitur programet në një debat të drejtpërdrejtë para qytetarëve.

“Tani do ta bëjë fushatën elektorale një shaka banale, një parodi, një diçka të pavlerë, në mënyrë që programin serioz që paraqesim ne para qytetarëve, ta krahasojë me banalitetet e tij. Tani unë nuk kam dëshirë kurrë ta takoj atë njeri, por ua them këtu, e ftoj të dalim në debat para qytetarëve. Lëri monologjet çdo mëngjes me zhaba, hardhucë dhe zhapinj dhe urdhëro zotëri të dalim si të kesh dëshirë, me gazetarë, pa gazetarë, me qytetarë, pa qytetarë, urdhëro të dalim të paraqesim programin tonë për qytetarin shqiptar dhe Shqipërinë. Nuk vjen dot sepse tani ç’kuptova unë, ai ka frikë nga vetja e tij. Po, absolutisht”, tha Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha premtoi gjithashtu edhe legalizim të ndërtimeve, duke siguruar se nuk do të ketë urbanizim para legalizimit.

“Këtu ka probleme të akumuluara. Legalizimi. Kam firmosur një pakt, një kontratë me banorët për legalizimin. Dy janë pikat themelore të këtij pakti. Nuk do ketë kurrë urbanizim para legalizimit. Nuk kemi bërë ne. Shteti duhet të jetë i drejtë. Dhe kur shteti është i drejtë, edhe qytetari e ndjek më shumë të drejtën. Atëherë ne nuk bëjmë urbanizim para legalizimit. Ne do legalizojmë dhe garantoj të gjithë, se ato leje që këta u kanë dhënë, të gjitha do të quhen tapi dhe do i gëzoni përfundimisht”.

Ai ka kritikuar gjithashtu qeverinë Rama për keqadministrimin e procesit të integrimit dhe ka vënë theksin te rëndësia e reformave të bëra nga PD për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Lajme të tjera |  "Fitorja mbi vdekjen"/ Kryepeshkopi Joan mesazh për Pashkët: Në fitoren e Ngjalljes së Krishtit, duhet të gëzohen të gjithë!

Berisha theksoi se qëllimi i tij është përmirësimi i kushteve për qytetarët dhe mbështetja për bizneset, duke nënvizuar uljen e taksës për bizneset dhe rritjen e pagave për punonjësit. Ai ka përmendur edhe mbështetje për diasporën, duke premtuar 5 vite pa taksa për ata që investojnë në Shqipëri.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us