Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi takim me banorët e degëve degëve nr. 1, 3 dhe 14 në Tiranë ku prezantoi programin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Gjatë fjalës së tij, Berisha komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, ku shprehet se vajzat dhe gratë janë forca punëtore, duke u shprehur se kjo ndodh pasi burrat janë në emigracion.
“Ndaj le të bashkohemi ne më 11 maj për t’u ndarë përfundimisht nga vjedhja e madhe që u bëhet shqiptarëve nga këta qeveritarë, për t’u rikthyer paratë dhe pasuritë publike shqiptarëve, për të zëvendësuar narkoshtetin me shtetin ligjor, për të respektuar liritë dhe të drejtat njerëzore, për barazinë e vërtetë gjinore. Çfarë thoshte sot burreci 2 metra i gjatë? 70 përqind të forcave të punës e bëjnë gratë. Po, pasi burrat e tyre janë nisur në emigracion sepse nuk siguronin dot kafshatën këtu në Shqipëri. Por ky nuk është tregues. Burrat kanë marrë rrugët e dheut për të siguruar jetesën e familjes së tyre dhe ai dilte e rrihte gjoksin se gratë në Shqipëri kanë arritur të jenë 70 përqind e forcës së punës. Natyrisht për atë edhe 80 përqind, edhe 90 përqind po të shkojë është fare mirë sepse do karrigen e tij. Kurse ne jo, ne duam barazinë gjinore, ne duam që forcat e punës të jenë të ekuilibruara, të punojë burri, të punojë edhe gruaja sepse në këtë mënyrë familja është më e mirëqenë, është më e fortë, më e sigurt. Garantoj çdo nënë, çdo motër se përparësi absolute në programin tonë do jetë suksesi i tyre në biznese, në karrierë dhe në të gjitha drejtimet”,tha Berisha.