Janë zbardhur diskutimet në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në mbledhjen e Këshillit, Berisha tha se rilindasit e Ramës janë hiena, që do ia mbathin me të katërta, sapo të ndjejnë ulërimin e luanit shqiptar. Berisha deklaroi se Rama dëshiron që të eliminojë opozitën dhe ta burgosë liderin opozitar, ashtu siç ndodh në vendet diktatoriale. Lideri demokrat shton se nga tmerri, duan që ta heqin emrin e Berishës nga fleta e votimit. Berisha paralajmëroi se nuk dorëzohet kurrë.
““E vërteta është e parehatshme. Në Tunizi, Ugan, Venezuelë, Rusia kanë arrestuar liderin e opozitës. Pse? Sepse këta kanë folur troç, të vërtetën. Kjo ndodh vetëm në vende jodemokratike, e për fat të keq ky virus ka ardhur edhe këtu. Nuk e kam fjalën vetëm për arrestin e Sali Berishës, por simptomat kanë kohë, me shpalljen time ‘non grata’. I vodhën vulën Sali Berishës. Nga tmerri që kanë, ndalohet emri i Sali Berishës në fletën e votimit. Tani duan ta burgosin Sali Berishën, pa asnjë provë. Zonja, zotërinj, sir, madam, Para se të përsërisni këtë akuzë për Sali Berishën, kontrolloni xhepat tuaj. Unë jam Sali Berisha, nuk mposhtem kurrë.
Tani nis një fazë e re e aksionit opozitar. Nëse Rama nuk ikën me vote, çfarë do të bëjmë?! Do të zgjojmë luanin. Zgjimi i luanit është misioni i kësaj faze të re të aksionit opozitar, kjo do të realizohet vetëm me betejë pa kthim e mosbindje civile. O sot, o kurrë kundër aleancës së qelbësirave, narkoqeveritarëve me në krye Ramën që po u pi gjakun shqiptarëve. O sot o kurrë të zgjojmë luanin dhe të tregojmë t vërtetën e madhe se populli shqiptar është luani i këtij vendi dhe rilindasit e Ramës janë hiena të tij. Hiena që do t’ia mbathin me të katërta sapo të ndjejnë hungërimin e luanit shqiptar që shumë shpejt do të ngrihet në këmbë”, u shpreh Berisha.
Berisha tha ndër të tjera se fokusi i stukturave duhet të jenë gratë. Sipas tij, duke qenë se meshkujt janë larguar në emigracion, duhet punuar për të afruar në PD gratë. “Gratë, për shkak të emigracionit, janë sot në Shqipëri shumicë numerike, por edhe cilësore. Duhet të ftojmë zonjat që të bëhen pjesë e betejës sonë. Ju garantojmë se ne e rrëzojmë narko-shtetin. Veprimet që ka bërë Rama tregojnë se ai ka frikë se do rrëzohet nga pushteti. Nuk mjafton vetëm denoncimi, ne tani duhet të marrim kthesën”, tha lideri demokrat.
Lideri i demokratëve deklaroi se më datë 27 dhjetor, Gjykata e Lartë mund t’i japë vulën dhe logon e PD-së Lulzim Bashës. Ai tha se Basha nuk mund të gëzojë vulën dhe logon, sepse ka tradhtuar besimin e popullit opozitar. Berisha paralajmëroi se do ta mbrojë vulën dhe logon dhëmbë për dhëmbë.
“Më 27 dhjetor Gjykata e Ramës tenton ose vendos t’i japë vulën e PD-së një njeriu i cili tradhtoi për 10 vite me radhë besimin e popullit opozitar. Gjykata e Ramës do t’i japë logon tonë një njeriu lëvozhgë që as kritiku ynë më paranojak nuk e mohon dot se ai është peng i Ramës. Me këtë vendim do të tentojnë të hyjnë në shtëpitë tuaja, në shtëpinë tonë. Do të mbrojmë logon, shtëpinë tonë, dhëmb për dhëmb, pa asnjë hezitim sepse nuk ka shqiptar që nuk e di sot se ajo logo është e jona”, tha Berisha.
Mbledhja ishte parashikuar të mbahej në orën 10:00, por është shtyrë për më vonë. Mbledhja në fjalë vjen pas mbledhjes me gratë demokratë, më herët gjatë ditës së sotme, ku u bisedua aksioni opozitar “O sot o kurrë”. Sot pritet të vendoset se kush do te jenë katër koordinatorët që kërkoi Sali Berisha, në lidhje me riorganizimin e partisë, që do të jenë të ndarë në katër rajone të Shqipërisë. Një koordinator do jetë për veriun, një për jugun, një për qendrën dhe një për Tiranën. Pritet që koordinatorët të ripërshtasin PD-në. Një çështje tjetër që u diskutua ishte edhe ajo e protestave. Demonstrata e radhës e opozitës pritet të mbahet më datë 27 dhjetor tek Gjykata e Lartë.