Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marrë në mbrojtje këtë të premte Arben Ahmetajn. Gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës, Berisha iu drejtua kryeministrit Edi Rama. Nga dritarja e banesës së tij, Berisha tha se nëse i preket një qime floku Ahmetajt, pasojat do i mbajë Rama dhe familja e tij. Ndërkohë hoqi një paralele dhe me Ervis Martinajn.
Sali Berisha: Një qime floku po i preke Arben Ahmetaj do ta pësosh me familjen tënde. Ia bëj këtë se Arben Ahmetaj të denoncoi. E bëri me Ervis Martinajn po se bën dot kurrë me Arben Ahmetajn. Mos përdor kriminelë, vrasës mor frikacak sepse nuk do të mund të ndalosh veprimet e tjera pastaj.
Një natë më parë në një intervistë në “Çim Peka Live”, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Për këtë të fundit deklaroi se është pronari “defacto”, i inceneratorit të Tiranës. Ndërsa për Ramën, u shpreh se e ka nxjerrë në “pritë” tek SPAK për ta përdorur si “kokë turku”. Ndër të tjera, Ahmetaj tha se është kërcënuar tre herë me jetë.