Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një paralajmërim për ata që i quan “kriminelë dhe banditë elektoralë”, në qytetin e Durrësit, ku është përmbyllur fushata e PD-së në një miting të madh.
“Kudo që të jenë do i kapim, me Sakon, me Gjushin, me kandidatët e tyre”, deklaroi Berisha, duke thënë se ata “nuk do të gjejnë vrimë miu ku të futen”.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
Miq, këto zgjedhje ndajnë qytetarët, atdhetarët, ndajnë ata që duan Durrësin, ndajnë njerëzit me dinjitet, ndajnë njerëzit e virtytshëm nga ata të cilët komandohen nga bandat dhe krimi dhe besojnë se mund t’i imponojnë Durrësit vullnetin e tyre.
Ja ku po e deklaroj para jush, vrimë miu nuk do gjejnë.
Kudo që të jenë do i kapim, me Sakon, me Gjushin, me kandidatët e tyre.
Për ta nuk ka vend në parlament.
Për ta ka vend në koshin e plehrave të historisë.
E dashur Ermira, krenaria e Durrësit, krenaria e Shqipërisë dhe krenaria e kombit.
Historia që tregove këtu, arritjet tuaja janë një frymëzim për çdo shqiptar, janë frymëzim për çdo të ri dhe të re, dëshmi e asaj se çfarë mund të bëjnë me vullnetin e tyre, me karakterin e hekurt, me guximin e tyre, të rinjtë dhe të rejat mund të kapin Everestet e të gjitha fushave, në sport, në shkencë dhe kudo tjetër.
Miq, 11 Maji është një ditë e madhe në betejën e shqiptarëve për dinjitet njerëzor.