Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi një takim me diasporën shqiptare në Selanik, Greqi, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Berisha komentoi gjuhën e përdorur të kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës elektorale, duke u shprehur se “burreci 2 metra i gjatë shan e turfullon”. Kryedemokrati u shpreh se Rama bën klounin që të mbulojë vjedhjet e tij.
“Burreci 2 metra i gjatë i trembur deri në palcë flet çdo mëngjes me veten e tij, shan e turfullon. Çyryk, zhapik, budalla, buf, fjalor i turpshëm, që përpiqet të gjejë strehë në banalitete për t’iu fshehur përgjegjësive. Në kohën e Covid-it ku la 4 ditë në Kapshticë. Krim kundër njerëzimit. Fushata jonë është eprore sepse ne vijmë me program, ai vjen më sharje, shpifje bën klounin të mbulojë vjedhjet”, tha ai.
Më tej, Berisha i doli në mbrojtje Fredi Belerit, duke u shprehur se u sulmua nga Rama, duke përdorur metoda si të Sigurimit të Shtetit, për t’i rrëmbyer postin si kryebashkiak i Himarës.
“Akti i dy viteve më parë i narkodiktatorit të Tiranës Edi Rama, ndaj eurodeputetit, Fredi Beleri, është një nga aktet më të shëmtuara në historinë e demokracive europiane. Po pse u ndala këtu? Për të treguar se për çfarë është e aftë mafia për interesa të vetat të bëjë, të sakrifikojë, të dëmtojë, pavarësisht statusit të gjysmë milioni shqiptarëve, marrëdhëniet me fqinjët të cilat janë gjithnjë shumë të rëndësishme për interesa mafioze personale. Ky është Edi Rama, miqtë e mi”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha u “krenua” me këshilltarin amerikan Chris LaCivita, i cili sipas tij është një nga kryestrategët e fitoreve në botë, ndërsa Rama del para shqiptarëve me Vullnet Sinën, i cili e helmoi. Berisha tha se Rama u sëmur për shkak të salmonelës, referuar mishit të kontaminuar që përfundoi në treg, duke thënë se e kishte nga “breshka”. Berisha falenderoi edhe simptatizantin e PD-së, Ilir Vrenozi, i cili ishte në takim duke thënë se përfaqësoi shqiptarin e vërtetë.
“Ne dalim para shqiptarëve me Chris LaCivita-n, një nga kryestrategët e fitoreve në botë. Ai del para shqiptarëve me Vullnet Sinën, hajdutin që helmoi Shqipërinë me salmonelën e pulave. Në fakt, edhe vet Edi Ramën, që ta dini ju këtë. Po, po ua them unë ju. Dhe u tha mjekëve se: e kam nga breshka.
Pra, ja ku ka mbetur. Shkon në Korçë, dhe përdor Peleshin e tij. Mendon, se tani e gjeta. Në Korçë, arrita të blej dhe Ilir Vrenozin. Ilir, ti u bëre star-i i kësaj fushate se përfaqësove shqiptarin e vërtetë. Përfaqësove njeriun e thjeshtë. Tregove se, karakteri, nderi dhe integriteti janë kryesore për çdo njeri dhe ia theve hundët në Korçë dhe në Shqipëri. Të falënderoj shumë në emër të të gjithë ketyre emigrantëve. Ndaj dhe, të bashkohemi. I bëj thirrje, çdo qytetari që është regjistruar për të votuar. Asnjë votë Edi Ramës, asnjë votë për ata të cilët po zbrazin Shqipërinë, po mjerojnë Shqipërinë, po ndajnë pasuritë e saj. Çdo votë për ndryshimin. Çdo votë për Shqipërinë Madhështore”, tha Berisha.