Nesër në mëngjes, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të paraqitet në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Berisha shkon në SPAK për të zbatuar masën e sigurisë, “detyrim paraqitje”, që duhet ta respektojë detyrimin për të shkuar pranë SPAK të hënën e parë të çdo muajit. Por nuk do të jetë i vetëm! Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka lajmëruar anëtarët e Këshillit Kombëtar që kryedemokrati Sali Berisha do të jetë nesër në SPAK.
“Të dashur miq! Nesër, ditën e hënë në orën 9.30 kryetari i PD, Sali Berisha do të jetë në dyert e SKAP-it. Faleminderit,”-shkruan Noka në grupin e Këshillit Kombëtar.

Por jo vetëm kaq!
Nga nesër, nis edhe përballja e Berishës dhe gjithë të akuzuarve të tjerë të dosjes “Partizani” me drejtësinë. Nesër, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të hidhet shorti për përcaktimin e treshes së gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen që është pranuar për gjykim. Treshja e togave të zeza do të përcaktohet përmes shortit elektronik. Fillimisht do të zgjidhet kryesuesi i trupës gjykuese dhe më pas emrat e dy anëtarëve plotësues. Por për shkak se në treshe, gjyqtarët nuk duhet të kenë pasur asnjë lidhje me dosje, përjashtohen Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi, të cilat kanë gjykuar dosjen dhe hetimet paraprake dhe masat e sigurisë për të pandehurit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë zyrtarisht të pandehur bashkë me të akuzuarit e tjerë në lidhje me dosjen si: biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja e kompanisë ‘Homeplan’, Andia Pustina.
Të pandehurit e dosjes “Partizani” dhe akuzat:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
-Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”
-Xhimi Begeja – Trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” akuzohet për “Pastrim Parash”
-Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të “Homeplan sh.p.k” – akuzohet për “Pastrim Parash”
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të “korrupsionit pasiv” të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t’iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Aktualisht Berisha është në liri, por me masën “detyrim paraqitje”, 2 herë në javë. Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.l