Berisha njëherë me dy palë pantallona dhe njëherë nën një fustan

Nga Lorenc Vangjeli

Njeriu që dikur u printe turmave, tani ka zgjedhur të rrijë njëherë pas shpinës së të tjerëve. Njëherë mbas Evit, e më pas edhe mbas Crisit e së fundit edhe Turit nga Korça; njeriu që dikur militantët e tij e shihnin si Krishtin me kamzhik, tani është i mbërthyer në kryqin e fatit të tij. Pesha e rëndë e së shkuarës e bën të ngathët, të dobët dhe jofrymëzues. Ai vetë e di mirë se nëse nuk siguron dafinat e triumfit në zgjedhje, do të mbërthehet edhe më fort me gozhdë në kryqin e moskthimit dhe do të ketë nevojë sërish për një shpatull tjetër ku të mbështetet. Që për paradoks, me shumë gjasa do të jetë ajo e Ramës, që ai do ta akuzojë për vjedhje fitoreje dhe masakër elektorale nga veriu në jug e nga lindje/perëndimi në diasporë.

Berisha ka qenë gjithmonë shpatulla ku mbështeteshin të gjithë, por tani ka nevojë për një shpatull ku të mbështetet vetë. Vetëm gjatë kësaj fushate hemafrodite zgjedhore, si kurrë më parë, ai është shfaqur në mënyrë groteske pas të tjerëve; pas strategut të amerikan të komunikimit dhe korçarit të famshëm të rrjeteve sociale.

Në fakt e ka nisur më herët, e ka nisur që pothuaj tre vite më parë. Në kryqëzatën e tij për të rimarë partinë nga gjumashi Basha, ai përdori për sulm një figurë karizmatike dhe kontraverse me pasaportë amerikane. Theksi amerikan i zonjës Kokalari, sharmi pa doreza i Evit dhe një marrëdhënie e saj e supozuar me Trump, atëherë ish-president, ishte shpatulla e parë ku ai u mbështet mbas goditjes së non gratës amerikane. Por zonja nga Amerika u bë shpejt viktimë e lojërave cinike dhe provinciale të oborrit të Doktorit. Ajo u zhgënjye dhe iku. Dhe siç ndodh shpesh me dashuritë e furishme, shërbesa që afronte, u këmbye me përplasjen dhe armiqësinë.

Vetë Kokalari u zëvendësua me një lëvizje të shkëlqyer marketingu politik. Në Tiranë erdhi dikush që jo vetëm supozohej se kishte marrëdhënie me Trump, tashmë president i Shteteve të Bashkuara, por ishte edhe një nga arkitektët e triumfit të tij spektakolar. La Civita morri përsipër jo vetëm t’i rijepte Berishës partinë, por t’i afronte fitore në të gjithë Shqipërinë. Shpatulla e amerikanit të fushatës hodhi hijen perfekte mbi tatoo-në e non gratës së Berishës. Madje ishte gati-gati bileta fituese e lotarisë së tij politike dhe vetë viza ende e munguar amerikane. Rama zgjodhi ta sulmojë që në krye të herës këtë avantazh të kundërshtarit, por sa më shumë që ai e godiste dhe ironizonte strategun amerikan, aq më shumë Berisha dhe njerëzit e tij tentonin ta nxirrnin atë në rresht të parë. Deri në pikën kur u krijua përshtypja se La Civita dhe jo Berisha, ishte oferta e opozitës në garën për kryeministër.

E njëjta skemë u riprodhua edhe me një personazh shumë simpatik të prodhuar nga rrjetet sociale. Demokrati i famshëm nga Korça, kritik i zhurmshëm i socialistëve dhe skeptik edhe ndaj elitës së vjetër të demokratëve u shfaq papritur si figurë qëndrore në fushatë. Fillimisht Vrenozin e nxorri nga hija e rrjeteve vetë Rama, por Berisha jo vetëm që piu kafen që ju refuzua Ramës, por edhe e nxorri në vijë të parë korçarin e famshëm. Përballë një audience të ndezur mitingu, sa më shumë zbriste katet e fjalorit të shqipes, aq më shumë e brohoriste publiku, duke lënë vetë Berishën në hije. Duke e bërë atë të qëndrojë mbas shpatullave të Vrenozit që flet me pasion në publik, si shumë shqiptarë të tjerë në sherre kafesh.

Në gjithë zallamahinë e fushatës, ku emocioni dhe jo logjika është daullja që oshëtin pafund, ky rreshtim i pazakontë i Berishës është ana më pak e dukshme e saj, pikërisht se ndodh në sy të të gjithëve. Kjo fshehje seriale mbas shpatullave të të tretëve, kjo shfaqje e shtrirë në kohë, edhe groteske, edhe dramatike e njeriut që ka mbajtur në dekada pas shpinës gjithë partinë e tij, do ta ketë padyshim ndikimin e saj në kutinë e votimit. Sepse në bilanc të fundit, njeriu që është mësuar të jetë gjithmonë i pari, që tani mund të numërojë tre shpina mbas të cilave është prezantuar si i dyti në betejë. Natyrisht pa llogaritur shpinën e Lulit që nuk e llogarit më askush. Dhe pa parashikuar se cilët do t’i venë shpatullat të nesërmen e 11 majit në rast të disfatës në zgjedhje, kur me shumë gjasa, ai vetë do t’i verë shpatullat kryqit të karrierës së tij drithëruese.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us