Nga Lorenc Vangjeli
Njeriu që dikur u printe turmave, tani ka zgjedhur të rrijë njëherë pas shpinës së të tjerëve. Njëherë mbas Evit, e më pas edhe mbas Crisit e së fundit edhe Turit nga Korça; njeriu që dikur militantët e tij e shihnin si Krishtin me kamzhik, tani është i mbërthyer në kryqin e fatit të tij. Pesha e rëndë e së shkuarës e bën të ngathët, të dobët dhe jofrymëzues. Ai vetë e di mirë se nëse nuk siguron dafinat e triumfit në zgjedhje, do të mbërthehet edhe më fort me gozhdë në kryqin e moskthimit dhe do të ketë nevojë sërish për një shpatull tjetër ku të mbështetet. Që për paradoks, me shumë gjasa do të jetë ajo e Ramës, që ai do ta akuzojë për vjedhje fitoreje dhe masakër elektorale nga veriu në jug e nga lindje/perëndimi në diasporë.
Në fakt e ka nisur më herët, e ka nisur që pothuaj tre vite më parë. Në kryqëzatën e tij për të rimarë partinë nga gjumashi Basha, ai përdori për sulm një figurë karizmatike dhe kontraverse me pasaportë amerikane. Theksi amerikan i zonjës Kokalari, sharmi pa doreza i Evit dhe një marrëdhënie e saj e supozuar me Trump, atëherë ish-president, ishte shpatulla e parë ku ai u mbështet mbas goditjes së non gratës amerikane. Por zonja nga Amerika u bë shpejt viktimë e lojërave cinike dhe provinciale të oborrit të Doktorit. Ajo u zhgënjye dhe iku. Dhe siç ndodh shpesh me dashuritë e furishme, shërbesa që afronte, u këmbye me përplasjen dhe armiqësinë.
Vetë Kokalari u zëvendësua me një lëvizje të shkëlqyer marketingu politik. Në Tiranë erdhi dikush që jo vetëm supozohej se kishte marrëdhënie me Trump, tashmë president i Shteteve të Bashkuara, por ishte edhe një nga arkitektët e triumfit të tij spektakolar. La Civita morri përsipër jo vetëm t’i rijepte Berishës partinë, por t’i afronte fitore në të gjithë Shqipërinë. Shpatulla e amerikanit të fushatës hodhi hijen perfekte mbi tatoo-në e non gratës së Berishës. Madje ishte gati-gati bileta fituese e lotarisë së tij politike dhe vetë viza ende e munguar amerikane. Rama zgjodhi ta sulmojë që në krye të herës këtë avantazh të kundërshtarit, por sa më shumë që ai e godiste dhe ironizonte strategun amerikan, aq më shumë Berisha dhe njerëzit e tij tentonin ta nxirrnin atë në rresht të parë. Deri në pikën kur u krijua përshtypja se La Civita dhe jo Berisha, ishte oferta e opozitës në garën për kryeministër.
E njëjta skemë u riprodhua edhe me një personazh shumë simpatik të prodhuar nga rrjetet sociale. Demokrati i famshëm nga Korça, kritik i zhurmshëm i socialistëve dhe skeptik edhe ndaj elitës së vjetër të demokratëve u shfaq papritur si figurë qëndrore në fushatë. Fillimisht Vrenozin e nxorri nga hija e rrjeteve vetë Rama, por Berisha jo vetëm që piu kafen që ju refuzua Ramës, por edhe e nxorri në vijë të parë korçarin e famshëm. Përballë një audience të ndezur mitingu, sa më shumë zbriste katet e fjalorit të shqipes, aq më shumë e brohoriste publiku, duke lënë vetë Berishën në hije. Duke e bërë atë të qëndrojë mbas shpatullave të Vrenozit që flet me pasion në publik, si shumë shqiptarë të tjerë në sherre kafesh.
Në gjithë zallamahinë e fushatës, ku emocioni dhe jo logjika është daullja që oshëtin pafund, ky rreshtim i pazakontë i Berishës është ana më pak e dukshme e saj, pikërisht se ndodh në sy të të gjithëve. Kjo fshehje seriale mbas shpatullave të të tretëve, kjo shfaqje e shtrirë në kohë, edhe groteske, edhe dramatike e njeriut që ka mbajtur në dekada pas shpinës gjithë partinë e tij, do ta ketë padyshim ndikimin e saj në kutinë e votimit. Sepse në bilanc të fundit, njeriu që është mësuar të jetë gjithmonë i pari, që tani mund të numërojë tre shpina mbas të cilave është prezantuar si i dyti në betejë. Natyrisht pa llogaritur shpinën e Lulit që nuk e llogarit më askush. Dhe pa parashikuar se cilët do t’i venë shpatullat të nesërmen e 11 majit në rast të disfatës në zgjedhje, kur me shumë gjasa, ai vetë do t’i verë shpatullat kryqit të karrierës së tij drithëruese.