Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës për gazetarët, sulmoi ashpër ish-ministrin e tij, Ilir Rusmali.
Ky i fundit është anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve. KAS rrëzoi dje disa kërkesa të Partisë Demokratike në lidhje me pretendimet e saj për shpalljen të pavlefshme të rezultatit zgjedhor për Qarkun e Kukësit.
Kjo ka bërë që Berisha të sulmojë ashpër Rusmalin, duke e cilësuar atë “një mercenar pa asnjë normë njerëzore”.
“Paralajmëroj Ilirjan Celibashin që të dorëzojë çdo dokument që kërkohet në përputhje me ligjin dhe të hedhë poshtë qëndrimin e turpshëm prej mercenari të Ilir Rusmalit. Një figurë e zhveshur nga çdolloj norme standardi njerëzor, një shërbëtor pa asnjë parim që ka votuar të mos japin procesverbalet e QV kandidatëve apo Partisë Demokratike për Kukësin ku kemi fituar.
Mercenar pa asnjë lloj norme morale, njerëzore bllokon procesverbalet e kërkuara nga komisionerët, kjo nuk është detyrë e tij por e Ilirjan Celibashit, s’ka punë kurrkush, ato i jep ligji, e morët ju vesh, në qarkun që kemi fituar nuk dhanë procesverbalet, e verifikova se thashë është e pamundur, i kërkoj me urgjencë Ilirjan Celibashi të dorëzojë procesverbalet”, tha Berisha.