Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në një konferencë të radhës për mediat, ku zbardhi pretendime të reja që sipas tij faktojnë blerjen e votës. Në fjalën e tij, Berisha tha se lufta ka nisur dhe nuk do të dalë. I pyetur nëse opozita do të jenë nesër në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, kryedemokrati nuk la asgjë që të kuptohej. Ai nuk zbuloi asnjëlloj skenari për nesër, por u shpreh se edhe denoncimet e opozitës janë luftë. Sipas tij, lufta bëhet edhe me zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike.
“Lufta nuk bëhet vetëm me kallashnikov dhe bazuka. Nuk është luftë kjo që po bëjmë? Nuk pranojmë ne këto zgjedhje. Ne kërkojmë qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Nuk pranojmë ne narkoshtetin dhe deputetë të krimit si Besa Spaho, Sara Mile dhe të tjerë. Ne do i gjejmë të gjithë, do ia paraqesim botës. Apo kandidatët e Altin Hajrit e kartelit të Troplinëve e Bajrëve. Kjo është betejë, e veshtirë, por është për të vërtetën dhe ne do e fitojmë këtë,”- u shpreh kreu i PD-së.
Më tej Berisha nuk kurseu sulmet edhe ndaj relatorit dhe kreut të KAS, Ilir Rusmali, që sipas tij nuk pranoi të jepte procesverbaleve të komisioneve dhe qendrave të numërimit. Edhe pse dikur ish-ministër i Drejtësisë në kabinetin e tij, Berisha e etiketoi Ilir Rusmalin si njeri pa norma morali.
“Ne kemi provat, jemi këtu për dokumentet, për ta faktuar. Lap-topi u zhduk, por prisni. Me këtë rast paralajmëroj Ilirjan Celibashin që të dorëzojë çdo dokument që mercenarit Ilir Rusmailit, figurë e zhveshur nga çdo lloj norme standardi njerëzor, i zhveshur nga çdo virtut njerëzor e të mos japi tabelat e rezultateve procesverbaleve për qarkun e Kukësit për PD-në,”-shtoi Berisha.
Në fund, kreu i PD bëri deklaratën më të fortë duke pretenduar se ka shtënë në dorë laptopin e “patronazhistëve” të Partisë Socialiste, duke paralajmëruar se edhe në ditët në vazhdim do të nxjerrë provat për manipulimin e zgjedhjeve.
Berisha zbulon: Kemi në dorë laptopin e patronazhistëve, aty zbulohet veprimtaria e tyre kriminale
Padi ndaj Celibashit, ai që e ka autorizuar këtë. Përgjegjësinë ligjore e ka ai që ka autorizuar këtë. Kërkesa jonë ka qenë e prerë që nuk mund të ketë nënkontraktorë. Dhe është e shkruar në kontratë që nuk mund të ketë nënkontraktorë. Dhe në fund, ne kemi dokumente, ua paraqesim këtu të komunikimit të drejtuesve të PS me nënkontraktorët. Po, po, jemi plot dokumente ne. Laptopi flet shumë. Po, po, shkoni në filan vend, merrni në filan vend, fola me spedicierin, i kemi të gjitha, do dalin këto, do shihni çfarë procesi ka qenë. Dhe ata që përpiqen t’u imponojnë shqiptarëve një proces të tillë, unë mendoj se gabojnë rëndë. Kjo nuk imponohet më. Jo çdo gjë mund të them unë. Po i sinqertë me ju, ato që do paraqiten para jush, do jenë edhe nga laptopët e tyre. Faji i tyre, jo i joni. Kanë zhvilluar veprimtari kriminale me laptop. Laptopi është mjet krimi për ta.
Por nuk e ka zbuluar se si e ka siguruar dhe kujt i përket kompjuteri që ka siguruar