Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar organizimin e protestave pas zgjedhjeve të 11 majit, të cilat i konsideron si një “farsë elektorale” dhe sulm të hapur ndaj demokracisë.Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se qeveria përdori çdo mjet të paligjshëm për të ndikuar rezultatin zgjedhor, përfshirë shpërndarjen e parave publike, faljen e gjobave dhe keqpërdorimin e administratës shtetërore.
Ai theksoi se tashmë është radha e qytetarëve shqiptarë, veçanërisht e atyre që besojnë tek demokracia dhe shteti ligjor, që të reagojnë dhe të mbrojnë votën e lirë.
“Është radha e shqiptarëve të ndershëm të ngrihen, t’i dalin për zot votës së lirë dhe të mos lejojnë t’u merret e ardhmja nga një regjim që e dhunon çdo ditë lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, pa zgjedhje të ndershme nuk mund të ketë të ardhme për vendin, ndërsa paralajmëroi se aksioni opozitar do të vijojë me protesta dhe reagim qytetar.