Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar programin e biznesit, të cilin premton se do ta implementojë nëse do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në një takim nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Berisha premtoi se nëse do të vijë në pushtet, do të bëjë 10% taksën e sheshtë, por jo vetëm aq! Po ashtu, premtoi se do të bëjë një ulje e detyrimit të sigurimeve shoqërore dhe se TVSH-ja do të shkojë në normën e 15%. Para biznesmenëve, kryetari i PD-së garantoi se nëse vjen në qeveri vendi do të prodhojë sa më shumë.
“Ne kemi shpallur dhe jemi të bindur se alfa dhe omega e programit tonë duhet të jetë ekonomia, ekonomia, ekonomia. Kjo gropë e tmerrshme që po krijohet në këtë vend nga largimi masiv i shqiptarëve ka në themel ekonominë, ekonominë, ekonominë,”- tha Berisha.
Sa i përket çmimit të karburanteve premtoi se në pikat e shitjes me pakicë do jetë plus/minus 10 përqind me çmimin në Kosovë dhe Maqedoni dhe se për çdo të ri të punësuar, qeveria do të marrë përsipër një vit sigurimet shoqërore.
“Çdo i ri që investon gjer në moshën 25 vjeç, pa taksa. Po kështu edhe gratë kryefamiljare,”-shtoi kryedemokrati.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Shfrytëzoj rastin të përshëndes të gjithë biznesmenët e Shqipërisë, të cilët në vlerësimin tim, ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kushte të vështira si në asnjë vend tjetër. Shqipëria e tre viteve të fundit është Shqipëria e rënies dramatike të prodhimit. Është Shqipëria që nga një semestër në tjetrin, prodhimi industrial bie. Eksportet nga viti 2023-2024 janë ulur me 32 përqind, statistikë zyrtare kjo. Eksportet nga njëri muaj në muajin tjetër të këtij viti vazhdojnë të bien. Prodhimi bujqësor shënoi rënie dramatike. Pra, ne ecim drejt një ekonomie e cila mbahet sot në dy shtylla kryesore. Mbahet në ndërtimin dhe në një mënyrë ose në një tjetër, në turizmin. Por historia ka provuar se edhe ekonomitë më të fuqishme të planetit, kur janë mbajtur në dy shtylla, kanë njohur kriza shumë të thella. Pikërisht për këtë arsye ne kemi shpallur Made in Albania, prodhimin kombëtar si krenari kombëtare. U garantoj ju dhe të gjithë sipërmarrësit se do bëjmë gjithçka që ky vend të prodhojë sa më shumë, sa më me cilësi dhe sa më me konkurrencë. Ne kemi shpallur dhe jemi të bindur se alfa dhe omega e programit tonë duhet të jetë ekonomia, ekonomia, ekonomia. Kjo gropë e tmerrshme që po krijohet në këtë vend nga largimi masiv i shqiptarëve ka në themel ekonominë, ekonominë, ekonominë. Zoti Jakaj paraqiti këtu shqetësime ndër më seriozet dhe unë po marr sektorin e ndërtimit. Ai tregoi se në këtë sektor, taksat janë 10 dhe 12-fishuar. Kush i paguan këto të dashur qytetarë? Këto i paguani ju. Qeveria ua vendos ndërtuesve, ndërtuesit janë të detyruar t’i pasqyrojnë në çmimet e banesave. Ato ose shndërrohen në mollë të ndaluar, ose ju duhet të punoni dekada të tëra për të blerë një apartament. Sektori i dytë ku mbahet, që është sektor i fuqishëm dhe Shqipëria ka një potencial shumë të madh dhe larg të shfrytëzuarit në shkallën e duhur, është turizmi. Por në vlerësimin e qeverisë, 10 milionë turistë me 7 milionë net fjetje, tregon se në këtë sektor, po të krahasohemi me Malin e Zi, që merr 2.7 milionë turistë në vit, ne kemi një informalitet prej 80 përqind. Ky informalitet pasqyrohet direkt te qytetari i thjeshtë, sepse qytetari i thjeshtë përfiton nga shitja në këtë sektor gjithsej 7-8 milionë euro në buxhetin e shtetit, në një kohë kur ky qytetar shpenzon për këtë sektor çdo vit 430 milionë euro. Ne e konsiderojmë jetike një ndërhyrje emergjente, një revolucion të vërtetë në ekonomi me të cilin ne besojmë se do shënojmë një kthesë rrënjësore. Së pari, ne jemi dhe mbetemi të zotuar para biznesit për një revolucion të ri të vërtetë fiskal. Ne besojmë se paratë në kontot e tyre janë më të vlefshme për shoqërinë dhe qytetarët se sa në kontot e qeverisë, sepse kjo u jep mundësi të mëdha punësimi dhe zgjerimi të aktivitetit. Ndaj dhe ne do kalojmë në një sistem fiskal në të cilin së pari do ketë stabilitet të atij sistemi. Kodi nuk do mund të ndryshohet siç është ndyshuar gjatë këtyre viteve me ndikime nga më absurdet, por kodi do miratohet në fillim të 4-vjeçarit, dhe ai kod do merret apriori e drejtë e dhënë për biznesmenin dhe nuk mund të ndryshojë në disfavor të tij. Do vendoset taksa e sheshtë 10 përqind. Ne jemi për taksën 10 përqind, taksa e shekujve dhe mijëvjeçarëve e njerëzimit. Është faktuar si taksa më e drejtë, është faktuar si taksa që i jep frymëmarrje ekonomisë. E kemi eksperimentuar ne në vitin 2005 dhe jo vetëm që nuk patëm ulje të të ardhurave, por patëm dyfishim. Por, taksa 10 përqind do mbetet ndjellëse për të gjitha taksat e tjera. Ne do ulim progresivisht detyrimin e sigurimeve shoqërore. Ne po shkonim drejt saj dhe absolutisht ai ishte një veprim shumë i drejtë. Nuk mund të them se kjo do bëhet në 100 ditët e para, por kjo do bëhet në mënyrë të padiskutueshme. TVSH-ja nuk ka më tabu. Do zbritet në 15 përqind me qëllim për të zbritur edhe më poshtë. Nuk mund të besoj unë se ai 20-përqindëshi është një nivel i shenjtë dhe nuk do preket. Do preket, do e ulim në 15 përqind. E kemi pasur dikur 12.5 përqind. Tani do zbresim tek 15-a për të parë se ku mund të zbresim përsëri. Energjia elektrike do jetë më e lira në Europë. 6 lekë për kilovat orë. Shqipëria ka çdo potencial për të furnizuar biznesin me 6 lekë kilovat orë. Kaskada e Drinit e bën të mundur për çdo sipërmarrje energjetike. I fryjnë ata kostot duke punësuar një armatë militantësh dhe kostot i paguajnë qytetarët dhe biznesi. Pra, nga 18-24 lekë që është tani, do zbresë në 6 jetë dhe do jetë ndër vendimet e para të 100-ditëshit. Taksa e shitjes së pronës do ulet në 2 përqind nga 15 përqind që është. Çmimi i karburanteve në pikat e shitjes me pakicë do jetë plus/minus 10 përqind me çmimin në Kosovë dhe Maqedoni. Nuk do shkojnë më njerëzit me mbushë serbatorët në zonat kufitare. Ata e shesin më lirë se taksa në një litër naftë është 1.1 euro këtu, nuk ekziston në asnjë vend tjetër. Tjerët e shesin 1.1 euro në pompa, ne i vendosim taksë 1.1 euro. Merr fund kjo. Do reduktohet me 4 herë numri i inspektimeve. Inspektorët janë jo vetëm grabitës të mëdhenj të kohës së bizneseve. Ngulen aty dhe po t’u përllogaritësh ditët që humbet biznesi me inspektorët, mund të shkojnë në 50 ditë. Ne do instalojmë sistemin dixhital të inspektimeve. Kontrollet do bëhen mbi bazën e analizës së riskut. Ne kemi objektiv të arrijmë në 30 përqind të PBB-së të ardhurat buxhetore, por ne jemi të bindur se kjo ulje jo që nuk do pakësojë, por do rrisë të ardhurat buxhetore. Do ketë përjashtim nga taksat për 5 vite për të gjithë ata shqiptarë që kthehen dhe investojnë në vendin e tyre. Sikundër taksa lokale nuk do jetë kurrë më shumë se 1 përqind e xhiros vjetore. Se ky ç’ka bërë? E ka bërë taksën zero për bizneset e vogla dhe janë dhjetëfishuar taksat lokale gjer në taksa antikushtetuese. Bashkia thotë vendos taksë për arsimin po ku e gjen ti të drejtën të vendosësh një taksë për arsimin kur arsimi është një sistem i qendërzuar? Dhe tani nuk dihet ku ka shkuar taksa. Do bëjmë gjithçka për punësimin e të rinjve. Do marrim përsipër për çdo të ri të punësuar një vit sigurimet shoqërore. Çdo i ri që investon gjer në moshën 25 vjeç, pa taksa. Po kështu edhe gratë kryefamiljare