Sali Berisha ka sfiduar dhe këtë të premte Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) duke mbajtur një tjetër tubim poshtë pallatit të tij me demokratët, ku nuk mungoi as fjalimi. Në 33-vjetorin e themelimit të gazetës “Rilindja Demokratike”, demokratët zgjodhën të protestonin në rrugën “Mustafa Matohiti”, poshtë dritares së Sali Berishës, i cili valviste flamurin e Partisë Demokratike. Para se të merrte fjalën Berisha, drejtues të “RD” ndër vite mbajtën fjalim ndërsa në protestë, ashtu si dhe në herët e tjera ishte e pranishme dhe vajza e Berishës, Argita Malltezi.
Pasi mori fjalën, lideri demokrat, tashmë i “izoluar” në banesë përshëndeti të pranishmit dhe hodhi akuza ndaj Qeverisë. Sipas Berishës, kjo është një protestë për fjalën e lirë, ndërsa paralajmëroi Kryeministrin Edi Rama se ringritja e Partisë Demokratike ka filluar.
Sali Berisha: Kjo protestë në vetvete përfaqëson një protestë ndoshta nuk mund të vlerësohet apo cilësohet me asnjë, me asgjë tjetër veçse një protestë e shenjtë. E shenjtë sepse e shenjtë është fjala e lirë. Dhe sot ne jemi këtu në protestë për fjalën e lirë. Ky dhunim, ky kërcënim, ky sulm ndaj gazetarëve, parlamentarëve të fjalës së lirë, është sulm ndaj secilit prej jush. Është sulm ndaj dinjitetit tuaj. Është sulm ndaj të drejtave tuaja për t’u informuar. Dhe nuk ka asgjë, Edi Rama nuk kërkon asgjë nga ju përveç indiferencës suaj, që të vaprojë veprën e tij të zezë. Mos të kemi iluzion se fjala e lirë është antidoti absolut i diktaturave. Se fjala e saj, është vdekja e lirisë, është vdekja e demokracisë. Pa fjalën e lirë mund të jesh i pasur, mund të jesh profesionist i zoti, por njeri me dinjitet nuk je kurrë. U drejtohem sot qytetarëve shqiptarë, kjo ishte për mediat, por kjo është më tronditësja. Por historia e Shqipërisë ka provuar, historia e botës ka provuar se në aktin e parë madhor për të vendosur sistemin e frikës dhe diktaturës, regjimet bëjnë gjithçka për të heshtur opozitën. Me heshtjen e opozitës, mes përpjekjeve për të heshtur opozitën, ata arrijnë të ngulisin frikën gjer në palcë. Çdo qytetar të shndërrojë njeriun krenar, qenie e barabartë para Zotit, në një larvë që zvarritet në mbretërinë e frikës. E thashë në fillim se kjo protestë është e shenjtë se asgjë nuk do Edi Rama përveçse të marrë fjalën e lirë. Po pse ndalem unë te ai? Se vetëm ai është i tillë. Dhe nuk është vetëm, është me bashkëshorten e tij. Do mbetet në memorien time e pashlyer nata kur sikur të ishte zonja Makbeth, Linda Rama fton gazetarët në Pallatin Presidencial dhe u thotë, gati sa nuk u tha shtriga, po ju me ato fjalimet tuaja, që m’i bëni helme dhe gjilpëra burrit tim dhe ne. Imagjinoni ju se çfarë ndajnë ata për fjalën e lirë, për dinjitetin e qytetarëve. Ndaj dhe sot kjo protestë duhet të jetë një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari: mos u mërzitni, mos u lodhni, mos u trembni. Ua them unë ju, se sot paratë e drogës, falangat e krimit që kanë pushtuar çdo institucion, vërtet mbjellin frikë dhe terror. Por ata e bëjnë këtë vetëm pse nuk ngrihemi ne. Ju garantoj ju se në momentin që ne ngrihemi, nuk ka tunel, nuk ka vrimë, nuk ka vend më për Edi Ramën, në Surrel, Tiranë apo Shqipëri.
Po ashtu ai kishte një mesazh për demokratët.
Sali Berisha: Duke përfunduar, duhet të them dy fjalë edhe për 33-vjetorin. Duhet të shpreh nderimin tim më të madh, mirënjohjen time më të thellë të pakufishme për ata gazetarë, për ata studentë, por edhe për ata punonjës të Kombinatit Poligrafik, të cilët në një natë vërtet të bardhë, nxorën numrin e parë të Rilindjes Demokratike me datën 6 janar të vitit 1991. Ajo ditë ishte ndoshta si asnjë ditë tjetër. Ai mëngjes i ftohtë ishte ndoshta mëngjesi më i elektrizuar i këtij vendi dhe i këtij kombi. Njerëzit e etur për fjalën e lirë, pritën gjithë natën në katër anët e vendit publikimit të saj. Është në nderin e atyre që e publikuan, është në nderin e atyre intelektualëve të cilët u rreshtuan në anën e vërtetës dhe e shndërruan Rilindjen Demokratike jo vetëm në një zëdhënëse të PD-së dhe pluralizmit, por në një zëdhënëse të fuqishme të të vërtetave shoqërore, politike, kombëtare të shqiptarëve. E shndërruan Rilindjen Demokratike në një mjet anticensurë të fuqishëm. E shndërruan Rilindjen Demokratike në një avokatë të pamposhtur të interesit kombëtar. Ndaj dhe koha na fton të ngrihemi dhe njëherë, të mos ecim si somnambul. Të mos mashtrojmë vetën. Sot ka vetëm një rrugë: përballja me Edi Rama, përballja me të keqen. Rroftë liria, rroftë fjala e lirë, rrofshi ju, rroftë Shqipëria!
Basha festonte
Ndërkohë që poshtë shtëpisë së kreut të Partisë Demokratike protestohej, krejt e kundërta ndodhte në ‘kampin” tjetër të demokratëve, të cilët udhëhiqen nga Lulzim Basha. Ky i fundit ka organizuar një takim në Hotel Tirana me demokratë dhe themelues ndër vite të gazetës ‘RD” dhe të Partisë Demokratike.
Momente pikante nga protesta
Teksa Sali Berisha fliste para demokratëve që ishin mbledhur poshtë dritares së tj, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili bashkëjeton në të njëjtën shtëpi me të e filmonte për ti dhënë një pamje më të mirë regjisë. Ashtu si dhe Berisha, Malltezi akuzohet për ‘Korrupsion pasiv”, por dhe për “Patrim parash” në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Të dy me vendim të Gjykatës së Posaçme ndodhën në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Demokratët i lënë urim…tek dera
Në pamundësi për ta takuar fizikisht, demokratët e kanë uruar Sali Berishën për këtë të fillim viti me një masazh të ngjitur tek dera e pallatit. Teksa ishin mbledhur për të protestuar, ata vendosën urimin tek dera dhe vijuar me brohoritjet, poshtë dritares së Berishës.
Sali Berisha “gris’ vendimin e GJKKO, fut teknikun në shtëpi
Sali Berisha këtë të premte nuk u mjaftua vetëm me fjalimin e tij përballë demokratëve, por e shkeli edhe më shumë vendimin e Gjykatës së Posaçme duke futur teknikun e mikrofonit në banesë. Kjo është në kundërshtim me vendimin e dhënë ku Sali Berishës i ndalohet të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që banojnë me të në të njëjtën banesë.
A do reagojë SPAK?
Ashtu si dhe në të dy herët e shkuara, nuk dihet nëse Prokuroria e Posaçme do të ketë një reagim ndaj shkejes së masën së sigurisë nga Sali Berisha. Mbetet ende e paqartë nëse SPAK do të kërkojë ashpërësim të masës së sigurisë ndaj Sali Berishës. Këtë të premte paradite, Oficerët e Policisë Gjyqësore mbërritën në shtëpinë e Berishës, por nuk dhanë komente as në hyrje e as në dalje të banesës.
Çfarë thotë avokati?
Ndërsa një natë më parë, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj u shpreh se kryedemokrati nuk ruhej me efektivë policie tek dera e banesës, siç thoshte dhe vendimi i GJKKO-së. Ndërsa shtoi se ai mund të takojë dhe të bisedojë me demokratët pasi aktiviteti i tij si politikan është i ndarë nga ajo e personit nën hetim.