Vendimi i Biden për t’u tërhequr nga gara presidenciale tregon një përulësi që ka shumë më tepër gjasa të gjendet mes liderëve demokratë sesa atyre autoritarë. Por, siç ka treguar Donald Trump – me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe premtimin e tij për t’u bërë një diktator “që ditën e parë” – një përulësi e tillë nuk është kurrë e garantuar.
Nga Nina L. Khrushcheva
“Ne kapemi pas pushtetit ashtu siç kapet një plesht pas jakës”, deklaroi lideri sovjetik Nikita Hrushov, stërgjyshi im, në vitin 1957. Për të shprehur mendimin e tij, ai pyeti audiencën e tij me aparatçikë të tronditur të Partisë Komuniste se cila ishte mosha mesatare e daljes në pension. “Mesi i të gjashtëdhjetave”, u përgjigj dikush. 63-vjeçari Hrushov bëri shaka se po e arrinte atë moshë dhe se donte të pinte çaj në mënyrë paqësore si pensionist, jo të shkonte direkt nga Kremlini në varr. Presidenti amerikan Joe Biden, me sa duket, e kapi thelbin.
Sigurisht, një president amerikan nuk është njësoj si një diktator sovjetik (të paktën tani për tani). Hrushovi vepronte brenda një sistemi autoritar në të cilin transferimet e pushtetit zakonisht pasonin funeralet, jo zgjedhjet. Në rastin e tij, ishte një grusht shteti që në fund solli ndryshimin: kolegët e rrëzuan atë në vitin 1964, pjesërisht sepse nuk donin të humbnin pushtetin nëse ai tërhiqej.
Por të heqësh dorë nga pushteti është e vështirë kur asgjë nuk të detyron ta bësh këtë. Kjo ishte e vërtetë edhe për Hrushovin, i cili ishte aq i bindur për rëndësinë e tij, saqë u përpoq t’i ruante kufijtë e mandatit në kushtetutën sovjetike. Megjithëse kishte planifikuar të largohej nga pushteti në vitin 1965, ai pranoi në pension se ndoshta nuk do të kishte pasur guximin ta bënte këtë, sepse kishte synime – hapjen e kufijve të Bashkimit Sovjetik, lehtësimin e censurës, përfundimin e Luftës së Ftohtë – që asnjë pasardhës nuk kishte të ngjarë t’i ndiqte.
Frika e Hrushovit nuk ishte e pabazuar. Këto ndryshime përfunduan duke ndodhur vetëm 20 vjet më vonë, gjatë epokës së perestrojkës së Mikhail Gorbaçovit. Por duhet të pyesim veten nëse Hrushovi – i cili ishte 70 vjeç kur u rrëzua nga pushteti dhe kishte kryesuar tashmë një sistem despotik për gati një dekadë – do të kishte pasur vullnetin, e lëre më fleksibilitetin, për t’i çuar para ato reforma, edhe nëse ai do të kishte qëndruar në pushtet.
Tërheqja nuk qe e lehtë as për Biden-in. Ai ishte përballur me presion në rritje për të pezulluar fushatën e tij presidenciale bazuar në shqetësimet për moshën dhe aftësinë e tij mendore që nga performanca e tij e lëkundur në një debat me kandidatin republikan për president, Donald Trump, në fund të qershorit. Por, për gati një muaj, ai rezistoi.
Disa nga argumentet e Biden-it për të qëndruar në garë kishin disa merita: qeverisja e tij në tre vitet e gjysmë të fundit është mbresëlënës dhe vetëm ai e ka mundur Trump-in në zgjedhjet presidenciale. Por argumentet e tjera – për shembull, se ai përfaqëson demokracinë amerikane (sikur demokratët e tjerë jo) – ishin shumë më të dobëta. Ndoshta psikologjia e pushtetit në autokraci dhe demokraci është më e ngjashme nga sa duam të pranojmë, me ata që janë në krye që përfundojnë duke besuar se e tyrja ëshhtë mënyra më e mirë – në mos edhe e vetmja.
Pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Ky është lloji i pushtetit që kishte Hrushovi dhe ai ishte i korruptuar prej tij. Rreziku i një korrupsioni të tillë është më pak i mprehtë në një demokraci, falë jo vetëm kufizimeve formale të pushtetit, si zgjedhjet dhe kufizimet e mandateve, por edhe rolit qendror të bindjes, bashkëpunimit dhe konsultimit me aleatët dhe kolegët. Por duhet ende një forcë e jashtëzakonshme vullneti për të hequr dorë vullnetarisht nga pushteti.
Nisur nga kjo, Biden duhet të lavdërohet për largimin nga gara presidenciale dhe miratimin e zv/presidentes së tij, Kamala Harris, si kandidate e Partisë Demokratike. Është një shenjë force të pranosh limitet, të dëgjosh arsyen dhe të njohësh vullnetin e shumicës.
Kjo është diçka që propaganduesit e Kremlinit – të cilët e kanë prezantuar vendimin e Biden-it si një shenjë dobësie, ndërsa kanë theksuar vazhdimisht kërkesat republikane për t’u dorëhequr gjithashtu nga detyra e tij si president – nuk e kuptojnë. “Lideri i tyre i patrembur” Vladimir Putin, i cili ka sunduar Rusinë për një çerek shekulli tashmë, nuk do të përkulej kurrë para një presioni të tillë.
Kur Putin u përball me protesta masive për vendimin e tij për t’u rikthyer për një mandat të tretë presidencial në vitin 2012, pasi shërbeu si kryeministër për katër vjet, ai u përball me presion të madh për t’u dorëhequr (ose kështu më thanë të brendshëm të Kremlinit në atë kohë). Por Putini ishte i përkushtuar ta ruante reputacionin e tij si një “macho man” dhe refuzoi të tërhiqej. Që atëherë, ai është bërë më autoritar çdo vit që kalon.
Refuzimi i Putinit për të ndryshuar kurs është shfaqur edhe në Ukrainë. Pasi u bë e qartë se pushtimi në shkallë të plotë i shkurtit 2022 nuk do të prodhonte një fitore të shpejtë, ai bëri kërcënime bërthamore dhe duke aneksuar katër rajone pjesërisht të pushtuara të Ukrainës (Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia).
Ironia është se Putini fillimisht nuk kishte në plan të qëndronte në pushtet për një kohë të gjatë. Ai thjesht duhej të konsolidonte trashëgiminë e paraardhësit të tij Boris Yeltsin, përpara se të kalonte në një punë të rehatshme si, të themi, një drejtues i Gazprom. Por siç thoshte Andrei Sakharov – fizikani bërthamor sovjetik dhe aktivist i të drejtave të njeriut që mori çmimin Nobel për Paqen në 1975 – puthja e pushtetit e Kremlinit është vdekjeprurëse. Nëse arriti të korruptonte Hrushovin, i cili vërtet besonte në rotacionin e pushtetit, ishte praktikisht e garantuar se do ta infektonte Putinin, një ish-shef i KGB-së.
“Të rinjtë do të nënshkruajnë letra edhe më mirë se ne, të moshuarit”, tha një herë Hrushovi, “dhe nuk do të na falin, nëse nuk tërhiqemi”. Por, për sa kohë që Putini mbetet në kontroll, ai nuk do të ketë nevojë për faljen e askujt. Pra, në dreq të rinjtë. Në dreq të gjithë rusët. Në dreq arsimi, ekonomia, shkëmbimet kulturore dhe shkencore dhe marrëdhëniet e mira ndërkombëtare. Në dreq e ardhmja e Rusisë.
Duke i hapur rrugën një kandidati më të ri, Biden i ka dhënë përparësi interesave të Amerikës mbi dëshirën e tij për të udhëhequr. Vendimi tregon një përulësi që ka shumë më tepër gjasa të gjendet mes liderëve demokratë sesa atyre autoritarë. Por, siç ka treguar Trump – si për shembull me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe premtimin e tij për t’u bërë një diktator “që ditën e parë” – një përulësi e tillë nuk është kurrë e garantuar.