EVROPË- Kalimet e parregullta në kufijtë e Evropës kanë rënë me 30% në tremujorin e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Grupet e të drejtave pjesërisht ia atribuojnë politikave të BE-së që kanë theksuar parandalimin. Rënia më e madhe, me 64%, ishte përgjatë rrugëve që përshkojnë Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa numri i emigrantëve të zbuluar gjatë tentativës për të kaluar në Britaninë e Madhe ra me 4%, shkruan The Guardian.
Të dhënat sugjerojnë një vazhdimësi të prirjes rënëse të parë në vitin 2024, kur kalimet e parregullta kufitare në Evropë ranë me 38% krahasuar me vitin e kaluar. Rënia e numrit të të ardhurve vjen pasi blloku ka arritur gjithnjë e më shumë marrëveshje me vende jashtë Evropës, si Libia dhe Tunizia, ku praktika të tilla si rrahja, dhuna seksuale dhe burgimi janë dokumentuar.
“Nuk ka të bëjë vetëm me statistikat. Të mos harrojmë se kjo po vjen me koston e njerëzve që mbyten në Mesdhe, njerëzve që rrahën në kufirin Poloni-Bjellorusi dhe shtyhen përsëri në Bjellorusi, janë njerëzit që bllokohen në këneta, pyje dhe shkretëtira të ndryshme brenda dhe në periferi të BE-së. Ka një kosto masive njerëzore pas këtyre shifrave”, -tha Judith Sunderland e Human Rights Watch.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tha se të dhënat e saj sugjeronin një rritje të përgjimeve të varkave që tentonin të niseshin nga disa vende të Afrikës Veriore, si Libia dhe Tunizia, të cilat mund të kenë kontribuar pjesërisht në rënien e mbërritjeve. Të dhënat e IMO treguan se në tre muajt e parë të vitit, të paktën 555 njerëz humbën jetën ndërsa përpiqeshin të kalonin Mesdheun ose Atlantikun për të arritur në Evropë.