Nga Denis Dyrnjaja
Sikurse është vënë re gjatë këtij muaji të fushatës elektorale ndodhin dhe shohim ngjarje, veprime, nisma, episode apo qëndrime që nuk para i hasim në të zakonshmen apo rutinën tonë. Psh kandidatët për deputetë në mënyrë krejt të papritur, veçanërisht ata që janë perfeksionuar arrin e hipokrizisë, shfaqen masivisht në publik dhe në mënyrë masive përpiqem të duken dhe tregohen sa më njerëzore. Pra përpiqen të shfaqen njësoj si njerëzit e zakonshëm, ndalojnë nëpër tregje, furra buke, dyqane, iu shkojnë njerëzve nëpër shtëpi e gatuajnë bashkë me ta, përpiqen të na tregojnë sa familjarë apo punëtorë e të angazhuar janë, ndalojnë dhe takojnë në rrugë njerëz të rastësishëm me demek dhe i pyesin plot interes për jetesën e tyre, preferencat, u japim premtime për një jetë plot prosperitet dhe begati. Dhe nga ana tjetër vihen re një grup njerëzish që ose janë pjesë e skenarit të parapërgatitur, por që bie në sy trashë fare që është falsitet, ose janë njerëz të kapur në befasi dhe sillen në improvizim të kontraktuar. Situata e hipokrizisë është aq e neveritshme, sa të kujton ato reminishencat e dikurshme kur udhëheqësit e partisë, byrosë politike apo shokë të komitetit qëndror në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, zbrisnin në bazë për takime “gjuhë më gjuhë me popullin”. Këtu pastaj në gjithë këtë rrumpallë hipokrizie dhe “pseudodashurie” spikasin edhe personazhe si Zegjineja, një vajzë e re e brezit rilindës të PS, në portretin e së cilës nuk mungon serbesllëku katunaresk, i cili falë inkurajimit kolektiv shndërrohet në vetëbesim suksesi dhe fame momentale. Sigurisht Zegjinesë I mungon Braçja në serat me kastraveca të Divjakës, apo Taulanti me mistri llaçi për të ndërtuar trotuare. Ndërkohë nga ana tjetër Lul Basha bën si repist e Berisha bën si trampist. I pari bën “coco jumbo” tërë kohës, a thua se po konkurron për çmimet Grammy në MTV Awards, i dyti ish babai i tij shpirtëror dhe politik pra Berisha, ka vënë kapele alla Trump, por ndërkohë kërcet aq shumë dhe duket po aq pa lidhje me atë imazh sa çdo dukej Donald Trump nëse do vishej me një kostum folklorik shqiptar. Ndërkohë Ramës që mesa duket kanë filluar t’i mbarojnë edhe batutat, ka filluar të bullizojë gjysmën e popullatës, burrat që i quan çyryk, me paradoksin e madh që është dhe vetë burrë nëse ende vazhdon të besojë te vetja dhe qenia e tij e brendshme gjinore. Pra sikurse shihet në terma të përgjithshme, po ndodh një fushatë elektorale e sforcuar, false dhe shpesh edhe e palaçëzuar. E gjithë kjo në fakt është pjesë e dekompozimit politik, të një klase e cila nuk u ngrit kurrë në këta 30 vjet në nivelin e një standardi të maturuar që të ishte edhe një lloj standardi apo imuniteti i pathyeshëm ndaj fenomeneve degjenerativë që prodhojnë herë pas here rrethana apo faktorë e aktorë të ndryshëm të kohës. Ndaj në këtë festival improvizimesh politike fiton ai që bën shown me original për turmën. Dhe Big Brotherin politik për tallje Noc Rroku në mënyrë të gjatë, të gjerë dhe të pandërprerë e fiton gjithnjë Ed Rama. Të tjerët sa harxhojnë kohën kot, zgjedhjet kanë mbaruar pa filluar.