Media gjermane “BILD” shkruan se shtetet evropiane janë duke u përgatitur për një tërheqje të mundshme të trupave ushtarake amerikane nga Evropa. Fuqitë më të mëdha të kontinentit të vjetër janë veçanërisht të shqetësuara pas takimit të organizuar në Arabinë Saudite midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, pasi dyshojnë se kjo mund të çojë drejt largimit të trupave ushtarake amerikane nga Evropa.
Por duket se trupat amerikane nuk do të jenë të vetmet. Sipas informacioneve të BILD, Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane edhe nga Kosova.
“Putini dëshiron që trupat e NATO-s të tërhiqen nga e gjithë ish-perandoria sovjetike. Zyrtarët evropianë besojnë se ka të ngjarë që Trump të pranojë të tërheqë trupat amerikane nga Baltiku dhe ndoshta më në perëndim. Kjo do ta linte BE-në të pambrojtur ndaj një ushtrie ruse.”
Sipas informacioneve të BILD, aktualisht nuk janë në diskutim vetëm bazat amerikane në Ramstein të Gjermanisë dhe bazat e forcave ajrore në Britaninë e Madhe. Pjesa tjetër e Evropës duhet të përgatitet për ndryshime të thella nëse Trump dhe Putin arrijnë një marrëveshje.
Një zyrtar i sigurisë së Evropës Lindore i tha medias gjermane: Sipas informacioneve tona, në negociatat e Riadit u diskutua për kërkesat e Putinit në vitin 2021, pra tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990.
Forcat amerikane janë të stacionuara në kampin Bondsteel, në afërsi të Ferizajt, rreth 40 kilometra nga Prishtina dhe operojnë së bashku me partnerët tjerë në kuadër të KFOR-it, misioni i të cilit në Kosovë realizohet në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Bondsteel është kampi ushtarak amerikan i vetëm në Evropën Juglindore.
Forcat ushtarake amerikane janë të pranishme në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s, që nga përfundimi i luftës dhe largimi i forcave serbe, në vitin 1999. Aktualisht, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka 3.746 trupa që vijnë nga 28 vende të botës. Forcat amerikane në këtë mision numërojnë 635 ushtarë dhe shënojnë praninë më të madhe ushtarake në krahasim me 27 vendet tjera pjesëmarrëse në këtë mision.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një numër të madh të bazave ushtarake në Evropë. Prania më e madhe ushtarake amerikane është në Gjermani, ndërkaq baza ushtarake të SHBA-së ka edhe në Itali, Britani të Madhe, Portugali, Turqi, Belgjikë, Spanjë, Bullgari, Holandë, Hungari, Greqi dhe të tjera