BKH e SPAK kontrolle në banesën dhe biznesin e Ergys Agasit, ende s’ka njoftim zyrtar

Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë ushtruar kontrolle me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në banesën e ish-kreut të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Ergys Agasi. Me urdhër të prokurorit Bledar Maksuti janë ushtruar kontrollë në banesën dhe bizneset e tij në Durrës dhe në Tiranë. Por ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me aksionin e zhvilluar nga SPAK. Po ashtu, nuk dihet se përse akuzohet Agasi.

Ndërkohë burime jo zyrtare në media të tjera raportojnë se ka pasur edhe urdhër-arreste të prera nga SPAK, por nuk dihet me saktësi nëse kanë arrestuar apo jo, Ergys Agasin apo persona të tjerë.

Por kush është Ergys Agasi?

Ergys Agasi është një biznesmen nga Durrësi, djali i ish-deputetit socialist, Bardhyl Agasi, i cili ka qenë Sekretar i Partisë Socialiste në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Edhe pse i ati ka qenë socialist, në skenën politike Ergys Agasi u integrua në asokohe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ai ka mbajtur postin e kreut të Inspektoratit të Mjedisit. Pas dorëheqjes, ai u integrua në strukturat e PS-së. Për shumë kohë, emri i tij nuk lakohej derisa u përdor nga disa eksponetë të opozitës.

Ende deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ishte ndër të parat që ka ngritur akuza publike ndaj Agasit. Madje për këtë të fundit tha se “urdhëroi” arrestimin e ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta.

Lajme të tjera |  Këmbimi valutor 19 qershor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

“Agasi është personi që ka urdhëruar mënyrën e arrestimit të Ilir Metës,”-pretendonte ajo në intervista.

Po ashtu, akuza ndaj Agasit ka ngritur edhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj. Gjatë një interviste për Rai3, Ahmetaj pretendonte se Agasi ishte “koordinatori” që drejtonte bandat kriminale dhe i përdorte në favor të maxhorancës për zgjedhje.

“Rama nuk është vetëm i lidhur me grupet kriminale, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve. Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Rama i takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë.“

Ndërkohë që ndaj tij, nuk kanë munguar përmendjet as nga kryedemokrati Sali Berisha. Edhe ky i fundit e ka akuzuar Agasin si person të lidhur me bandat që operojnë në Durrës. Deri më tani, për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, Agasi ka zgjedhur që të mos i kthejë kurrë një përgjigje publike. Por kjo nuk e ka ndihmuar që të mos jetë në çdo denoncim të opozitës, sidomos gjatë zgjedhjeve parlamentare të majit.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us